Historiani dhe diplomati nga Shqipëria, Pëllumb Xhufi, në emisionin “Dritare” të Rudina Xhungës, ka rradhitur të këqijat e “Zajednicës” për shtetin e Kosovës.
Sipas Xhufit veprimet e opozitës në Kuvendin e Kosovës janë një e keqe më e vogël sesa të këqijat që do të sjellë “Zajednica”.
Ai madje thotë se Asociacioni i Komunave Serbe do të ketë një zhvillim të madh ekonomik, pasi që do të ketë mbështetjen e Serbisë dhe do të kontrollohet drejtëpërdrejtë nga Qeveria e saj.
“Zajednica do të jetë një ishull i lulëzuar brenda një Kosove të varfer. Mos u çuditni që pas disa viteve shqiptarët e Kosovës për të hyrë në komunat serbe duhet të tregojnë pasaportën”, thotë Xhufi.
Ai madje thotë se këto privilegje për minoritetin serb janë dhe në kundërshtim me konventat ndërkombëtare për liritë dhe të drejtat e minoriteteve.
Pëllumb Xhufi si historian tregon se marrëveshjet më të pista në histori janë bërë në muajin e gushtit.
“Marrëveshja për Asociacionin është realizuar në gusht dhe si historian mund të them se marrëveshjet më të pista në historinë e njerëzimit janë realizuar në këtë muaj”.
Poashtu ai thekson se me marrëveshjen e krijimit të Asociacionit të Komuanve Serbe fiton vetëm Serbia, pasi që kjo marrëveshje është bileta e saj drejt BE-së.