Zëvendësi i ndihmëssekretarit në Departamentin Amerikan të Shtetit, Brian Hoyt Yee, ka qëndruar këtë javë në Bruksel, ku, mes të tjerash, ka marrë pjesë edhe në një konferencë në Parlamentin Evropian kushtuar 20-vjetorit të Marrëveshjes së Daytonit për Bosnjë-Hercegovinën, e cila para 20 vjetësh i dha fund luftës në këtë shtet, por që ende nuk është zhvilluar në një shtet funksional që do të mund të bëhej kandidat për anëtarësim në BE.
Ky zyrtar i lartë amerikan ka tërhequr vërejtjen se për Bosnjë-Hercegovinën janë arritur disa marrëveshje deri tash, se ato kanë ndihmuar në një masë, por shumë prej tyre nuk janë implementuar në tërësi.
Gjatë kësaj konference në ambientin e Parlamentit Evropian kemi arritur të zhvillojmë intervistë me zotin Yee për “Kohën Ditore” lidhur me zhvillimet e fundit politike në Kosovë, për dialogun me Serbinë dhe kërcënimin e terrorizmit global, i cili paraqet sfidë sigurie edhe për Kosovën.
“Së pari mendoj se është e rëndësishme të njihet se Kosova ka bërë një përparim domethënës në këtë vit të fundit drejt realizimit të qëllimeve të saj për integrime euroatlantike. Kemi marrëveshjen e gushtit me Serbinë, e cila përfshin disa çështje të vështira, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, dhe është e rëndësishme të thuhet se liderët për këtë është dashur të merrnin vendime të guximshme”, ka thënë ai.