Në muajt e parë në fakultetin juridik si e re mendoja që kam hyrë në tempullin e drejtësisë! Aty studiohej drejtësia, pra aty nuk guxon te ketë padrejtësi (sipas meje). Derisa në provimet e para hasa në padrejtësinë e parë! Në provimin që kisha mësuar aq shumë, nuk e kisha kaluar! Nuk po them kot por vërtetë kisha mësuar shumë dhe këtë e dija sigurt siç e dija emrin tim! Më vinte të qaja nga inati, nga padrejtësia e bërë!
U revoltova! Doja ta takoja profesorin, të kontrollonim testin, të më pyeste me gojë, me çfardo isha në gjendje të përballesha sepse unë e kisha studiuar atë lëndë! Derisa unë me një grup studentësh orvateshim ta takonim profesorin, studentët e vitit të tretë qeshnin dhe u dhimbseshim njëkohësisht! Ata tashmë ishin përballur dhe i njihnin padrejtësitë! Na thoshin se për këtë provim vendos djali profit, i cili vendos kompasin mbi teste dhe aq sa kap maja kompasit aq kalojnë! E pamundur!
Profin ishte e pamundur ta takoje si të ishte perendi. Ai nuk ishte aty, ishte ne takim, ishte jashtë vendit! Kjo u harrua gradualisht kur filluam të përballeshim me padrejtësi tjera, mundim e mosrespektim! Sa mosrespekt ndaj studentëve!
Gjithë kjo histori mu kujtua kur pashë që profi në fjalë sot akuzohet për plagjiat në lëndën të cilën ia kisha studiuar aq shumë! Hahaha sa ironike!
Po ta dija që ai prof ishte plagjiat nuk do revoltohesha për provimin tim por për faktin se si ai prof është brenda UP-së! Sa të pafajshëm kemi qenë, sa të etur për drejtësi dhe nga aty dolëm të zhgënjyer nga drejtësia!
Autore e shkrimit : Yllka Fejza