Norma e kthimit të interesit kapital prej 21 për qind për kompaninë “Contour Global” e cila do bëjë ndërtimin e termocentralit të ri “Kosova e Re”, është shumë e lartë dhe një normë e tillë nuk ekziston askund më botë.
Kështu ka thënë kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, gjatë një konference për media ku akuzoi Qeverinë e Kosovës se nuk është aspak transparente sa i përket detajeve më të hollësishme rreth kësaj kompanie dhe rreth marrëveshjes që është bërë me të, raporton KP.
Sipas tij, kjo normë kaq e lartë dhe pastaj shuma e kthimit të kredive për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” do të ngrit çmimin e energjisë elektrike në Kosovë për 50 për qind.
Po ashtu premtimet se do të hapen 10 mijë vende të punës me ndërtimin e këtij termocentrali, sipas Ymerit, nuk do të realizohen, “ashtu siç nuk janë realizuar edhe premtimet për punësim gjatë fushatës elektorale”.