Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Isa Mustafa që i bëri në Kongresin e EPP-së në Madrid lidhur me marrëveshjet e arritura të Kosovës me Serbinë.
Sipas Ymerit, 200 mijë nënshkrimet në peticion tregojnë qëndrimin e tyre kundër këtyre marrëveshjeve.
Më poshtë mund të lexoni reagimin e plotë të Ymerit:
Isa Mustafa nuk ka asnjë të dhënë të vetme, madje as shpikje të aparatit të tij propagandues, që do të tregonte sadopak qëndrimin e qytetarëve karshi marrëveshjeve me Serbinë. Ndërkohë që kur flet për to, siç paska folur në Kongresin e EPP-së në Madrid, thotë se ato përkrahen (në mënyrë indirekte duke thënë që kundërshtimi ndaj tyre nuk po u përkrahka nga qytetarët).
Secili sondazh i bërë në Kosovë që prej fillimit të vitit e nxjerrë Qeverinë, e veçanërisht Isën si kryeministër, si dy institucionet më kredibilitetin historikisht më të ulët në Kosovë. Janë mbi 200 mijë qytetarë që kanë nënshkruar Peticion kundër këtyre marrëveshjeve.
Dhe Isa prapë pretendon se ka legjitimitet për politikat e vendimet e tij?!
Ose mund ta lexojmë insistimin e tij ndryshe: Isa Mustafa e di që nuk ka legjitimitet, por ai nuk e vret mendjen për këtë. Ai nuk do t’ia dijë se çfarë mendojnë qytetarët. Sikur Gjuriqit, Isa Mustafës nuk i intereson se çfarë thotë opozita e çfarë thonë qytetarët: ai e do ‘Zajednicën’ të themeluar e funksionale. Pra, sikur Gjuriqi, do ta imponojë atë, në mënyrë absolutisht jo demokratike (duke e reduktuar vendimmarrjen në Qeveri dhe Gjykatë Kushtetuese) e të dhunshme (me rrëmbime e tortura policore ndaj deputetëve e aktivistëve).