Lajmet e fundit

Ymeri: Qeveria më shumë pajtohet me Vuçiqin dhe Daçiqin se sa me opozitën

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në emisionin “Argument Plus” tha se opozita nuk do të pranojë më pak se tërheqjen e marrëveshjeve për të gjetur rrugëdalje nga kriza politike në vend.

Ymeri tha se Qeveria e Kosovës sot më shumë pajtohet me kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe ministrin e jashtëm serb, Ivica Daçiq, se që pajtohet me opozitën.

“Qeveria më shumë pajtohet me Vuçiqin e Daçiqin se sa pajtohet me opozitën”, tha Ymeri.

Ymeri tha se opozita nuk do të marr pjesë në një komision të propozuar nga kryeministri për rishikimin e marrëveshjes për demarkacionin. Sipas tij, e vetmja zgjidhje është tërheqja e kësaj marrëveshje.

“Së pari duhet të anulohet marrëveshja për demarkacionin dhe të shkarkohet komisioni dhe personat që e kanë nënshkruar këtë marrëveshje. Qytetarët nuk e kanë problem demarkimin e kufirit, problemi është te mënyra se si është bërë”, tha Ymeri.

Ndërkaq, ai tha se përgjegjësinë më të madhe për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi e ka zëvendëskryeministri, Hashim Thaçi, pasi nënshkrimi i tij është në atë marrëveshje.

“Përgjegjës është drejtpërdrejt Hashim Thaçi, pasi marrëveshja është nënshkruar gjatë kohës sa ka qenë kryministër i cili e ka nënshkruar këtë marrëveshje së bashku Skënder Hysenin”, tha Ymeri.

Sipas Ymerit, për liberalizimin e vizave BE-ja kërkon luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe kjo nuk mund të bëhet me një qeveri të tillë.

“Bashkimi Evropian kërkon luftimin e krimit dhe korrupsionit. Kjo i bjen që pritet nga Qeveria e Kosovës ta hetojë dhe luftojë vete”, theksoi ai.

Ndërkaq, ai marrëdhëniet e Qeverisë së Kosovës me Bashkimin Evropian dhe Serbinë ai i përshkroi si diskriminuese ndaj Kosovës.

“Në përgjithësi marrëdhënia që e ka Qeveria e Kosovëës me Brukselin është diskriminuese, vecmas me Serbinë. Jo vetëm në kriteret me liberalizmin e vizave, por në përgjithësi”, tha Ymeri.

Leave a Reply

Your email address will not be published.