Lajmet e fundit
Zabeli me Luten

Zabeli me Luten

Mesazhe të forta për pushtetin në largim ka dhënë kreu LDK-së në Gjilan, njëherësh kandidat i kësaj partie për kryetar të Gjilanit, deputeti Lutfi Haziri, gjatë takimit me qytetarët e lagjes “Zabel i Sahit Agës”.

Salla e restorant “Lata” ishte e vogël për t’i zënë të gjithë. Mesazhet dëgjoheshin edhe nga qindra qytetarë në ndodheshin jashtë. Haziri nuk la pa e përmendur këtë fenomen. “Po e shihni që LDK është rritur. S’ka sallë që i zë përkrahësit tanë. Ju kërkoj falje juve që s’keni pasë mundësi me hy brenda”, tha.

Pastaj radha vije për të folur për margjinalizimin e lagjes së “Zabelit të Sahit Agës” nga ana e qeverisjes aziatike.“Qe 6 vjetë, në këtë lagje s’është investuar bash asgjë. Rruga e Zabelit nuk është shtruar fare, ndërsa në letra është shkruar që është asfaltuar. Kësaj i thonë hajni dhe vetëm hajni. Ne me këto tubime sikur në Zabel, do ta heqim këtë qeveri të keqe. Këta na sollën kulturë aziatike në qeverisje dhe për këtë nuk munden me jetu me neve. Ne i themi jo kësaj kulture aziatike”, tha Haziri.

Kandidati i LDK-së tha se në qeverisjen e tij do të punojnë kompanitë e Gjilanit, e jo jabanxhinjtë. Ai pohoi se qytetarët gjilanas nuk do t’ia falin asnjë sekondë kësaj qeverisje aziatike, përderisa tha se lista e këshilltarëve të LDK-së është e pastër si loti.

“Ne do ta ndryshojmë gjendjen, në Gjilan do të punojnë firmat e Gjilanit, jo jashtë Gjilanit. Unë ju kam premtuar rrugën dhe ajo do të bëhet. Zabeli do të bëhet model i mirë për të tjerët. Ne duhet ta ndryshojmë gjendjen. Duhet mos me ia falë asnjë sekondë, asnjë minutë dhe asnjë ditë këtij pushteti. Më 3 nëntor do t’i çojmë n’shpi. Pas luftës, ua kemi heq stupcin, tash do t’ua heqim hajninë. Kjo është qeveri e borxheve, qeveri e hajnisë, qeveri që emëron e shkarkon për interesa të veta, jo për interesa të vendit”.

“LDK është parti e vlerës, e demokracisë, parti që i respekton të gjithë dhe i ndanë të mirat me ata që s’kanë. Lista jonë zgjedhore është e pastër sepse pasqyron njeriun më të mirë në komunën e Gjilanit. Përfaqëson të riun, gruan, mësimdhënësin e mjekun”, përfundoi kryetari i ardhshëm i Gjilanit thuhet në njoftimin e degës së LDK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published.