Ish-komandanti i UÇK-së, Zafir Berisha, i ka dërguar letër të hapur udhëheqësit të Komisionit për Verefikimin e Veteranëve të UÇK-së Agim Çekut.
Ai në këtë letër shpreh shqetësimin e tij për mos përmirësimin e listave të veteranëve të luftës së UÇK-së. Sipas tij, shqyrtimi i listave vetëm se është rënduar edhe më shumë me parregullsi.
“I drejtohem me këtë letër të hapur Agim Cekut, si Kryetar i Komisionit qeveritar për verifikimin e veteranëve të UÇK-së, duke i thënë se lëshimet që janë bërë në fazën e parë, kanë qenë të papranueshme në këtë drejtim. Por, kam besuar se me shqyrtimin e ankesave si fazë e dytë, do të përmisoheshin lëshimet e mëhershme. Mirëpo për fat të keq, shqyrtimi i ankesave, e rëndon edhe më shumë gjendjen e krijuar më parë, duke thelluar edhe më shumë situatën.
Si rezultat i kësaj, aktualisht me shqyrtimin e ankesave po merren persona jo kopetentë, njerëz të cilët në emër të ZOP-it po vazhdojnë të bëjnë lëshime të rënda, të cilat dëmtojnë seriozisht proçesin, por njëkohësisht dëmtojnë rëndë edhe imazhin e luftës së UÇK-së.
Shqyrtimi i ankesave, veçanërisht ato të Brigadës125, pa qenë i pranishëm asnjë pjesëtar i kësaj brigade, na bën të dyshojmë se matrapazë dhe përfitues të vlerave të luftës, vazhdojnë të bëjnë lëshime të qëllimshme për të dëmtuar dhe më shumë lavdinë e Brigadës 125 të UÇK-së.
Z.Agim Ceku, ju keni përgjegjësi ligjore dhe historike, për të ndërhyrë sa nuk është shumë vonë. Përndryshe do të jeni bashkëpërgjegjës në dëmin që po i bëhet UÇK-së.
Dhe së fundmi besoj se e dini që për këto lëshime që po bëhen, ju nuk jeni imun ndaj ligjit, ashtu si nuk janë as matrapazët që po luajnë me vlerat e luftës së UÇK-së” (sic.), shkruan në letër Berisha.