Lajmet e fundit

Zbutet Hashim Thaçin? Papritmas i hidhet në “përqafim” opozitës!

Gjuha e zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi ndaj opozitës duket të ketë ndryshuar, pasi për dallim nga herët e tjera që në raport me opozitën dhe veprimet e saj përdorte një gjuhë denigruese, kësaj radhe ai fton për dialog në një tryezë të përbashkët. Për këtë ndryshim të gjuhës së tij dhe pasardhsit të tij, kryeministrit Isa Mustafa, duket të ketë pasur efekt  vizita e sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, i cili kërkoi nga pozita dhe opozita, që t’i lënë anash dallimet dhe të bëhen bashkë për interesa të vendit.

Vetëm dy ditë pas kësaj vizite, kryeministri Isa Mustafa, iu dërgoi ftesë zyrtare partive opozitare, që me 7 dhjetor të mblidhen dhe të diskutojnë për shqetësimet e tyre. E pas kësaj ftese, zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se ndërtimi i shtetit është ajo që i bashkon të gjithë, pa dallim partie, ideje dhe besimi.

Gjërat që na dallojnë në këtë rrugëtim janë minore në krahasim me të ardhmen euroatlantike të Kosovës. Angazhimi i të gjitha partive politike dhe spektrit të gjerë qytetarë të Kosovës do të vihet në sprovë së shpejti nga Bashkimi Evropian me procesin e liberalizimit të vizave dhe implementimin e MSA-së. Ne, së bashku mund ta transformojmë FSK-në në Forcë të Armatosur të Kosovës dhe ta integrojmë Kosovën në NATO, mund të realizojmë investime strategjike që do të çojnë drejt zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritjes së mirëqenies sociale”, ka shkruar Thaçi.

Ai më tej ka shkruar se Kosova ka traditë të dialogut politik dhe të bashkërendimit.

Së bashku në Rambuje fituam lirinë. Së bashku në Vjenë, në procesin e negociatave arritëm pavarësinë. Duke punuar së bashku mund të anëtarësohemi në BE. Dallimet aktuale që kemi mund të tejkalohen vetëm përmes dialogut dhe jo me metoda përjashtuese të njëri – tjetrit. Është koha të reflektojmë. Këtë e kërkojnë qytetarët e Kosovës. Këtë e kërkojnë miqtë tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian”, ka shkruar Thaçi.

Në fund ai ka thënë se ulja në një tryezë të përbashkët, dialogu pa kushtëzime, debati në Kuvend, respektimi i legjitimitetit qytetar janë rruga e vetme që duhet ta ndjekim të gjithë.

Të ndarë, mund të vonohemi shumë. Së bashku mund t’i arrijmë të gjitha”, ka shkruar Thaçi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.