Zëdhënësi i “Vetëvendosjes” Frashër Krasniqi tha se liderët opozitarë janë marrë vesh të mos shkojnë në seancën ku ratifikohet MSA-ja.
Seanca ku pritet të ndodhë ratifikimi është caktuar për të hënën e 2 nëntorit.
“Subjektet opozitare janë marrë vesh që të mos marrin pjesë në seancën e Kuvendit kur do të miratohet MSA-ja. Kjo për shkak se kemi shumë vërejtje për këtë marrëveshje,” tha Frashër Krasniqi për KALLXO.com.
Por ai deklaroi se opozita nuk do ta pengojë seancën.
“Sidoqoftë, për shkak që megjithatë marrëdhënia kontraktuale me BE-në është e rëndësishme, ne nuk do ta bllokojmë seancën,” sqaroi Krasniqi.
Sipas tij të hënën drejtuesit e grupeve parlamentare opozitare do të mbajnë një konferencë për medie ku do të bëjnë të ditur qëndrimin e plotë në lidhje me MSA-në.