Kriza politike e cila ka përfshirë vendin që nga muaji shtator është duke u thelluar çdo ditë e më shumë.
Sipas analistëve politik nuk ka shenjë se pozita dhe opozita do të lëvizin nga qëndrimet e tyre dhe se kriza do të mund të rritej nëse deri në kohën kur do të zgjidhet presidenti i vendit nuk ka ndonjë lëvizje pozitive.
Qeveria e Kosovës është shprehur e vendosur se nuk do të dorëzohet para kërkesave të opozitës edhe pas protestës së 9 janarit të opozitës e cila në fundin e saj u përshkallëzua në dhunë, kurse opozita ka paralajmëruar se do të ketë protesta të tjera deri në rrëzimin e Qeverisë.
Politologu Donik Sallova ka thënë për lajmi.net se kriza politike po shkon drejtë thellimit.
Ai për këtë ka bërë përgjegjëse Qeverinë, që sipas tij, nuk ka arritur që të veprojë si duhet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin, për t’i mos lënë hapësire Opozitës të kërkojë kompromise për këtë çështje.
“Situata po shkon drejt përshkallëzimit për faktin që pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Qeveria nuk është se ka qenë në gjendje ta përshtatë diskursin e saj mbi Marrëveshjen për Asociacionin në mënyrë që Opozita mos të ketë të drejtë të kërkojë kompromise në këtë çështje”.
“Qeveria do të duhej që të kontribuoj në zbutjen e situatës, të deklarohej me një lloj pranimi të faktit që Gjykata Kushtetuese ka korrektuar disa elemente të cilat në Bruksel janë nënshkruar dhe kështu do ta realizonte këtë pikësynim që e ka pasur Opozita”, ka vlerësuar ai.
Ai ka thënë se në situatën në të cilën është vendi momentalisht, zgjedhjet do ishin mënyra më e mirë për të dalë nga kriza, por që sipas tij, edhe ky proces do të mund të ishte një rrezik për shkak të një lloj konflikti mes partive, e që sipas Sallovës do të mund të përcillej edhe tek qytetarët.
Se kriza politike është duke u thelluar e pohon edhe analisti Nexhmedin Spahiu.
Ai vlerëson se fjalori politikë mes pozitës dhe opozitës është duke u ashpërsuar, gjë që sipas tij, jep shenjë se nuk ka shenja për ndonjë marrëveshje.
“Kriza aktuale është evidente se po thellohet , sepse fjalori i pushtetit dhe opozitës nuk është duke shkuar drejt kompromisit por, është duke u ashpërsuar çdo herë e më shumë”, ka thënë Spahiu.
Ai vlerëson se edhe zgjedhja e presidentit të vendit, ku deri më tani kandidati i vetëm serioz është Hashim Thaçi, do të ndikojë në thellimin e krizës politike.
“Nuk e di nëse deri të vije tek zgjedhja e presidentit a do të mund të bie Qeveria apo jo dhe a do të mund të zgjidhet Thaçi president, por do të ketë telashe edhe njërin rast por edhe në tjetrin”, ka thënë Spahiu.
Që nga mesi i muajit shtator Kosova është në një situatë të pa qëndrueshme politike, që kur opozita ka filluar kundërshtimin e dy marrëveshje atë të Asociacionit për Komunat me Shumicë Serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi.
Ky kundërshtim nga opozita është bërë duke bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës, si dhe protestat në rrugë.