Derisa për partitë opozitare më asnjë vendim i qeverisë së Isa Mustafës nuk është legjitim dhe se 9 janari po llogaritet nga ta si fundi i kësaj qeverie, njohës të zhvillimeve në vend nuk besojnë se pushteti do të dorëzohet e të shkojë në zgjedhje.
I vetmi faktor që vendin mund ta qojë në zgjedhje është dështimi për të zgjedhur Hashim Thaçin president, ashtu siç është marrëveshja mes partnerëve të koalicionit.
Analisti Artan Muhaxhiri mendon se zgjedhjet mund të vijnë pikërisht nga partitë në koalicion, nëse Isa Mustafa dështon t’ia sigurojë votat Hashim Thaçit për president, kur dihen kundërshtimet e deputetëve të LDK-së.
Ndryshe, analistët e shohin si të drejtë idenë e Shpend Ahmetit të Vetëvendosjes për një front të përbashkët opozitar, ku do të përfshihej edhe shoqëria civile.
Por, pak besojnë në një përgjigje pozitive nga individë të shoqërisë civile sepse thonë se as opozita nuk dallon shumë nga pjesa tjetër e spektrit politik.