Ky pushtet me këto dy subjekte politike/historike, tani më nuk gjeneron asgjë prosperuese në këtë vend. Duhet të ikin tutje për ta rigjeneruar veten nga zhbërja edhe për t’i hapur rrugë zhvillimit dhe funksionimit të shtetit, me portrete e mendësi të re politike.
Nga Ismet Kryeziu
Ky koalicion keq e ka filluar dhe më keq e ka përfunduar këtë vit. U krijua mbi të menduarit se bashkërendimi për pushtet nuk ka të nevojshme as më të voglin justifikim përballë votuesve, u katandis mes qëllimeve për qytetarët në qëllime të ngushta individuale. Interesat qytetare i konvertuan në interesa të klaneve dhe grupeve të fuqishme të para politikës. Për më keq vazhdoi të marrë vendime pa e ndjerë të nevojshme sqarimin e as diskutimin me qytetarët. Bile as për çështje të cilat kishin nevojë për konsensus shoqëror.
Unë nuk e di për çka do mbahet mend ky koalicion qeveritar !? Cilat janë politikat zhvillimore që ka ndërmarrë!? Cilat janë premtimet që ka mbajtur !? Cilat janë veprimet që kanë ndikuar dhe nxitur zhvillimet shoqërore!? Cilat janë parimet mbi të cilat ka qeverisur!?
Nëse këtë koalicion qeveritar nuk do e mbani mend për këto, atëherë me siguri do ta mbani mend për dështimin e anëtarësimit të Kosovës në mekanizma ndërkombëtar si UNESCO, për rrëshqitjen në plotësimin e standardeve dhe kushteve për liberalizim të vizave, për shkeljen e Kushtetutës në bisedimet me Serbinë, për dështim në gjenerimin e politikave zhvillimore, për mos mbajtjen e premtimeve, zhvatjen e bordeve të ndërmarrjeve publike dhe kontrabandimin e militantëve partiakë në to, e për propozimin dhe votimin e njerëzve partiakë në Gjykatën Kushtetuese.
Ky koalicion qeveritar ka arrestuar deputetë e përkrahës të opozitës, ka abuzuar me mendimin publik, ka shpifur dhe ka fabrikuar akuza për ideologji pro ruse, ka denigruar gjuhën politike në gjuhë barbare, ka përdorur fushata denigruese kundër gazetarëve, analistëve e OJQ-ve. E ka provokuar dhe e ka sjellë shoqërinë potencialisht pranë një konflikti qytetar.
Nëse këtë koalicion qeveritar ju do e mbani mend për të gjitha këto arsye, kjo do t’ju rikujtoj se LDK-ja dhe PDK-ja në esencë nuk dallojnë për asgjë. Përkundrazi, të përbashkëta kanë praktikat e qeverisjes së keqe, abuzimit me pushtetin, qeverisjen jo transparente dhe aspak përfshirëse. Duke i rikujtuar të gjitha këto, jo vetëm nga kjo qeverisje e këtij viti por dhe bashkëqeverisjen më shumë se një dekadë, këto dy parti të krijojnë përshtypjen se nuk janë një koalicion, por janë dy parti nga i njëjti brumë.
Ky koalicion është i pa vizion për të ndaluar trajektoren që po e rrëshqet shtetin dhe shoqërinë në zhbërje të shpresës dhe ëndrrës, për një shtet të qytetarëve. Sepse s’munden t’ua kthejnë as shpresën e as ëndrrën ata të cilët këtë e kanë zhbë. Ky pushtet po e ushqen në ëndrrën e secilit qytetar të braktisë vendin apo të gjejë prehje në shoqërinë e grupeve radikale e terroriste të orientuara nga bazat religjioze. Asnjë pikë prosperiteti nuk del nga shtrydhja e kësaj bashkëjetese midis këtyre dy subjekteve. Duhet të ikin tutje për ta rigjeneruar vetën nga zhbërja edhe për ti hapur rrugë zhvillimit dhe funksionimit të shtetit, me portrete e mendësi të re politike.
Këmbëngulja qytetare për të sjellë para pasqyrës këtë klasë politikë bërësish është e vetmja alternativë e jona. Kjo alternativë nuk është se është një e vërtetë e re, por është e vetmja dhe e domosdoshme për të marrë valën e ndryshimit jo vetëm te portretit politik, por të përmbajtjes së politikë bërjes. Duhet t’i ndryshojmë duke ofruar kërkesën tonë, për një ofertë ndryshe, jo duke e kapërdirë atë që n’a servohet.
Portrete dhe mendësi politike, të cilët në emër të historisë, në emër të stabilitetit e në shumë emra tjerë na udhëheqin dhe në pozitat institucionale ngarendin për përfitime personale, nepotizëm, biznese të korruptuara dhe pasuri marramendëse. Kanë bërë shumë pasuri të pista, nga paratë e pista. Dhe nëse ata kanë nevojë për pasuri e politika të pista, ne s’kemi nevojë të bashkëjetojmë me pisllëqet e tyre.
Udhëheqësit politikë nuk janë iluministë, por pjellë e jona. Në rastin më të mirë duhet të ishin njerëz me guximin dhe përkushtimin për të shërbyer ata të cilët ua japin këtë besim. Këto “privilegje” nuk do të duhej të ishin në shërbim të përmbysjes së vlerave, shkeljes së ligjit dhe abuzimit të pozitës institucionale. Kemi nevojë për diskurs tjetër politik, për udhëheqës të pastër e me guxim, të cilët zhvillimet i shtyjnë nga detyrimet dhe e drejta kushtetuese. E jo nga fuqia e tyre, e cila buron nga strukturat para politike.
Duhet te dalim nga indiferenca dhe përbuzja të cilën pa vetëdijshëm jemi duke e bërë ndaj sigurisë tonë, ekonomike, sociale e nacionale. Si shoqëri duhet të jemi më kërkues dhe më këmbëngulës në bërjen e shtetit funksional. Në 2016-tën duhet të kërkojmë zgjedhje si domosdoshmëri edhe si mundësi për të prodhuar udhëheqës të rinj me mendësi tjetër politike. Zgjedhjet janë e vetmja mundësi për ndryshime dhe rikthim në binarët e funksionalitetit të shtetit dhe shoqërisë. Shkuarja në zgjedhje nuk përben precedent të keq, por përkundrazi zgjedhjet mundësojnë riparimin e demokracisë. Derisa qeveria e cila cenon parimet kushtetuese dhe vazhdon të qeverisë, është precedent i keq.