Lajmet e fundit

Zgjedhjet mbahen atëherë kur do ‘Dragodani’ dhe PDK-ja

Ngjarjet e seancës së 8 tetorit dhe eskalimi i situatës, madje edhe kërcënimet e opozitës se nuk do të ndalen vetëm me këto forma siç i kanë quajtur ata “simbolike”, të bllokimit të Kuvendit duket se nuk do ta dërgojnë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Të paktën kështu vlerësojnë analistët politik në vend, sipas së cilëve edhe përkundër dëshirës së opozitës për të pasur zgjedhje të reja, për mbajtjen e tyre duhet pajtimi i pozitës dhe “bekimi” nga “Dragodani”.

Për analistin Artan Muhaxhiri, deklaratat e fundit nga zyrtarë ndërkombëtarë se janë kundër mbajtjes së një palë zgjedhjeve të reja janë vendimtare lidhur me këtë proces, pasi që sa herë në vend ndërmerren veprime të mëdha për të ndryshuar skenën politike, duhet miratimi nga ana e miqve ndërkombëtar.

“ Në Kosovë zgjedhjet e kanë edhe një element shtesë, ato duhet të bekohen nga partnerët tanë ndërkombëtarë, që në këtë rast janë kategorikisht kundër. Kemi parë edhe ambasadorin e Amerikës dhe ambasadoren e Gjermanisë që janë shprehur kategorikisht kundër zgjedhjeve, prandaj ky është një element që ia vështirëson opozitës që të kërkojë në zgjedhje, sepse dihet se në kontekstin e përgjithshëm politik pa përkrahjen e parterëve tanë ndërkombëtarë nuk mund të ndërmerren kësi aksione të mëdha dhe të ketë ndryshime të mëdha në skenën politike”, tha Muhaxhiri.

Një ndihmesë e madhe, sipas tij, në realizimin e dëshirës së opozitës për zgjedhje do të ishte nëse ata do të mund të realizonin një protestë masive ku do të merrnin pjesë mbi 50 mijë qytetarë. Kjo sipas Muhaxhirit do të ishte një motiv i fortë për opozitën për të realizuar qëllimin e saj, e që është dërgimi i vendit në zgjedhje të parakohshme. Por kjo sipas Muhaxhirit vështirë se mund të ndodh.

“Nëse analizohet konteksti aktual politik, ndihmesa më e madhe për opozitën do të ishte sikurse ajo të mund të realizonte një protestë të madhe gjithë popullore, ku do të dilnin ta zëmë 50- 60 mijë qytetarë dhe kjo do t’i jepte një kredi morale opozitës që të kërkojë edhe zgjedhje, mirëpo në këtë moment që jemi kjo nuk besoj që është një kërkesë e realizueshme sepse ka më shumë kundërshtarë se sa që ka përkrahës”, theksoi Muhaxhiri.

Sipas tij, Qeverisë duhet t’i jepet kohë që të dëshmojë vetën në projekte të mëdha, pasi që me qasje të tillë çdo opozitë brenda gjashtë muajve do të kërkonte zgjedhje të reja.

Edhe Fidan Kalaja nga FOL, thotë se opsioni i zgjedhjeve nuk është në “tavolinë”, pasi që për mbajtjen e tyre duhet pëlqimi nga ana e partisë më të madhe në vend, PDK-së. Ai thotë se një situatë e tillë e krijuar në vend po i konvenon më së shumti PDK-së, e cila ndonëse e ka partner në qeverisje LDK-në, do të shohë dështimin e saj.

“Zgjedhje nuk do të ketë në Kosovë sepse nuk ka asnjë parakusht që të ketë zgjedhje. Pra, zgjedhje do të ketë atëherë kur PDK vendos me pas zgjedhje dhe zgjedhje do të ketë kur vijnë te procesi i zgjedhjes së presidentit, mirëpo as aty nuk ka rrezik sepse PDK-së po i konvenon ky far lloj mos efikasiteti i punës së Qeverisë sepse njerëzit kanë filluar ta krahasojnë punën e Qeverisë Thaçi 2 dhe Thaçi 1 me punën e Qeverisë Mustafa 1. Edhe pse të dy Qeveritë Thaçi 1 dhe 2 kanë pasur performancë jashtëzakonisht të dobët dhe negative në raport me interesat shtetërore të Kosovës, PDK-ja po arrin që përmes shantazheve dhe përmes formave të saj të dinakërisë së funksionimit, ta shantazhojë partinë në koalicion dhe kjo po është totalisht e pafuqishme që t’i kundërvihet”, tha Kalaja.

E për zgjedhjet dhe mundësinë e organizimit të tyre në Komisionit Qendror Zgjedhor thonë se do të flasin atëherë kur ato të shpallen nga presidentja e vendit.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka në një prononcim të përmes telefonit për KosovaPress ka thënë se derisa të shpallen zgjedhjet nuk do të flas se a është i gatshëm apo jo KQZ për të organizuar zgjedhjet në aspektin teknik.

Sipas Dakës, KQZ ka obligim dhe mandat kushtetues për organizimin e zgjedhjeve dhe në momentin që një gjë e tillë i kërkohet këtij institucioni, ai edhe do të veprojë.

Kundër mbajtjes së zgjedhjeve janë deklaruar edhe dy ambasadorët më të rëndësishëm në vend, ai i SHBA-ve Greg Delawie dhe ajo e Gjermanisë, Angelika Viets. Të dy kanë folur për Kohën Ditore, ku i pari ka thënë se “zgjedhjet duhet të mbahen në vitin 2018”, derisa Viets kishte thënë se me zgjedhje të parakohshme, Kosova mund të harrojë liberalizimin vizave, vullnetin e donatorëve, investitorëve dhe të diasporës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.