Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka deklaruar se “Parku i Paqes”, mbi lumin Ibër, “do të largohet me 15 tetor, ashtu siç jemi marrë vesh”.
Ai në Ora e Fundit në Klan Kosova ka thënë se po punon shumë për një klimë të përshtatshme për të gjithë qytetarët e Mitrovicës.
“Jemi duke punuar për ta larguar Parkun e Turpit, siç e quaj unë. Parku do të lirohet me 15 tetor. Jemi duke tentuar ta krijojmë një klimë të mirë për të gjithë qytetarët”, tha Bahtiri.
Ai ka deklaruar se është ftuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli, kur ky i fundit vizitoi Mitrovicën.
Ndërsa i pyetur për ish-pjesëtarët e SHIK’ut, Bahtiri u përgjigj shumë shkurt.
“Nuk e njohë SHIK’un”, ka pohuar Bahtiri.
Bahtiri ka thënë se janë shtatë drejtorë që do të ndërrohen, ndërsa ka theksuar se disa nga ta do të jenë ai i Shëndetësisë, Arsimit, Kadastrat, Prokurimit etj.
Por, kjo, sipas Bahtirit, nuk e luhat koalicionin që kanë me Lidhjen Demokratike të Kosovës në Mitrovicë, dhe se ai vazhdon të jetë i qëndrueshëm.
“Nuk ka mundësi të prishjes së koalicionit, pasi partneri i koalicionit ka pranuar që të ndërrohen drejtorët që nuk kanë pasur performanca të mira”, ka shtuar Bahtiri.