Ferdije Zhushi-Ethemi ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetares së Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim.
Dorëheqjen nga kjo pozitë Zhushi-Ethemi e ka bërë publike me anë të një letre dërguar ministrit të Arsimit Arsim Bajrami.
“Iu njoftoj se për shkak të shumë presioneve që janë zhvilluar për një kohë të gjatë mbi mua si kryetare e Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, të cilat fatkeqësisht quan edhe deri te ngritja e një aktakuze nga organet e drejtësisë, jam e detyruar që të paraqes dorëheqjen time nga pozita e kryetares së KSHC-së”, thuhet në letrën e Zhushit-Ethemi.
Ajo sqaron se dorëheqja e saj assesi nuk nënkupton pranimin e fajësisë, por përkundrazi është hapje e rrugës për ndriçimin e të vërtetës që do të dëshmojë pafajësinë e saj.
“Më lejoni ta potencoj se me punën e vet profesionale AKA ka arritur që të bëhet anëtare e plotë në të gjitha organizatat ndërkombëtare për Sigurimin e Cilësisë në arsimin e lartë dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë të Kosovës që ka rezultuar me lehtësimin e njohjes së diplomave të studentëve tonë dhe mundësinë e studimit në institucione evropiane dhe më gjerë. Fatkeqësisht, po vërtetohet se ky nuk ka qenë interes i individëve dhe grupeve të caktuara të cilat nuk kanë kursyer mënyrë dhe mjetet shpifëse dhe shantazhuese për të minimizuar sukseset e agjencionit dhe për ta njollosur punën time si kryetare e KSHC-së”, thuhet në letrën e Zhushi-Ethemit.