JONIDA HITOVEIZI
Një gjest egoist apo një marrje mendsh aty për aty, një frymë djallëzore a kushedi çfarë të drejtoi për tu ngjitur deri në katin e 11 të një pallati dhe të hidheshe. Thanë nga dashuria. Dhe kjo është e vetmja e thënë që dimë, që qarkullon poshtë e lartë bashkë me fotot e tua. Këto të fundit më tronditën edhe më përveç moshës tënde. Vetëm 20 vjeçe! Instiktivisht mendova “sikur të të kisha njohur, sikur të kishe qenë mikja ime…sikur të kisha qenë aty, sikur të kishim shkëmbyer rastësisht dy fjalë atë ditë…do të të kisha ndalur”. Këto mendoja teksa po të shihja në Facebook. U ndjeva kaq e pafuqishme, sepse nuk të thoja dot “Je kaq e bukur, ke kaq dritë në fytyrë, je kaq e re, sa shumë gjëra të presin. Ç’buzëqeshje e bukur”.( Kushedi sa ta kanë pasur zili bukurinë) Do doja të të tregoja dhe unë historinë time që të mos ndiheshe vetëm. Do doja të të kisha thënë: Klea! – “Më besooo, do të kalojë. Unë e kam kaluar. Unë, shoqet e mia, gjithë gocat që njoh. Do të bëhesh më e fortë”. Ti nuk e ke idenë sa e bukur është jeta Klea. Nuk do ta mësosh kurrë, sepse ti i re vetes që në zhgënjimin e parë. Jeta bëhet më e bukur kur mëson të bëhesh e fortë. Ti nuk do më dëgjosh dot Klea, por do doja të të tregoja sesi kemi mbijetuar ne vajzat e tjera nga trishtimi, nga humbja e kuptimit të çdo gjëje. Nga ai momenti kur bota të rrëzohet e gjitha dhe ti ndihesh e pavlerë, shpesh ndihesh e bërë pis Klea dhe ta shpif vetja. Sepse ne jetojmë mes fëlliqësisë, më beso. Dhe na ndodh të gjithave Klea. Edhe atyre që e gjejnë dashurinë dhe atyre që e humbin, dhe atyre me burrë dhe atyre pa burrë. Ndonjëherë e humbasim veten, por gjejmë shtigje, motive, pasione për ta dashur jetën dhe veten edhe më shumë se para çdo stuhie. Një mikja ime e fëmijërisë me humor thotë: “Prit! Të jetojmë dhe pak, se nuk i dihet. Ndoshta Zoti ka rezervuar gjëra të mira. Vdekja aty është”. Aty është Klea, vërtetë dhe ti e di tashmë. E kemi në kurriz, siç themi andej nga anët e mia qysh kur lindim. Por ti s’dëgjove askënd. Ti vdiqe ndoshta kur tu zhbë dashuria jote e parë. S’kam fjalë të them më asgjë, sepse nuk ma nxë mendja të kuptoj si pate guxim dhe vrave gjithë atë krijesë të bukur.. Nuk e di pse atë forcë për të vdekur nuk e përdore në forcë për tu ngritur, për të qarë, për tu mërzitur, për tu bërë tap, për të puthur një të panjohur, për të qeshur me shoqet si e çmendur. Nuk e di. Do doja të t’i kisha thënë të gjitha këto, do doja që ti të kishe jetuar, por s’mund të bëj dot asgjë. Vetëm të lutem që Zoti t’i mbrojë vajzat si ty.