Policët e Kosovës ende vazhdojnë të mos i marrin këpucët e reja nga institucioni i tyre, ani pse procedurat e tenderi për to kanë filluar që nga muaji maj.
Dallaveret dhe dyshimet për manipulime në tenderë e kanë shtyrë blerjen e këtyre këpucëve.
Së fundi është edhe vendimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, i cili ka vendosur që t`i përgjigjet pozitivisht ankesës së kompanisë ofertuese Solid nga Suhareka, raporton Gazeta Fjala.
Kjo kompani fillimisht ishte shpallur fituese, e tenderit gjysmë milion eurosh, ai ishte anuluar në muajin gusht nga autoriteti kontraktues Policia e Kosovës, për shkak të dyshimeve se ka pasur dallavere.
Kompania Solid ishte ankuar përseri në OSHP, pasi që pretendonte se vendimi i fundit i Policisë së Kosovës për anulimin e tenderit është i pabazuar.
OSHP me anë të vendimit të datës 3 dhjetor, nxjerr në përfundim se duhet të anulohet vendimi i policisë së Kosovës për anulim të këtij aktiviteti dhe që ai të kthehet në rivlerësim.
“Autoriteti kontraktues në afat prej 10 ditësh duhet ta informoj me shkrim panelin shqyrtues për të gjitha veprimet e ndërmarra lidhur me këtë prokurim nga ana e komisionit ri-vlerësues”, shkruan në vendim.
