Lajmet e fundit

Zyrtarët amerikan: Ka mundësi që një bombë të ketë rrëzuar avionin rus

Zyrtarët amerikan dhe britanik, po u thonë mediave se është “shumë e mundur” që një bombë të ketë rrëzuar avionin rus të udhëtarëve mbi gadishullin Sinai të Egjiptit, duke vrarë 224 veta.

Një zyrtar amerikan i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se komunikimet e dëgjuara, lënë të hapur mundësinë që Shteti Islamik të jetë përgjegjës për rrëzimin.

Ekspertët janë duke hetuar mbetjet për çfarëdo shenje të terrorizimit. Disa raporte thonë se hetimet mjeko ligjore flasin për copa predhash në trupat e viktimave. Ekspertët po analizojnë edhe kutitë e zeza.

Shteti Islamik pretendon përgjegjësinë për katastrofën, por deri tash nuk ka paraqitur ndonjë dëshmi të fortë për të mbështetur këtë pretendim.

Presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sisi, i hodhi poshtë duke i quajtur “propagandë” pretendimet nga kryengritësit e Shtetit Islamik dhe një përpjekje për të dëmtuar qëndrueshmërinë dhe sigurinë e Egjiptit.

David Schenker, ekspert i Lindjes së Mesme në institutin për politikat në Lindjen e Afërme në Washington, i tha Zërit të Amerikës se “nuk do të ishte befasi “ nëse Shteti Islamik është përgjegjës për shkatërrimin e avionit.

Schenker tha se grupi ekstremist ka interes të sulmojë Egjiptin e Rusinë dhe se shkatërrimi i shënjestrave të lehta siç është një avion civil, do të dërgonte një sinjal të fuqishëm.

Në Britani, zyra e kryeministrit David Cameron, lëshoi një deklaratë në të cilën thuhet se “”Ndërkohë që hetimet vazhdojnë, ne nuk mund ta themi në mënyrë kategorike shkakun e rrëzimit të avionit rus. Por me zbulimin e fakteve të reja, ne jemi të brengosur se avioni mund të jetë rrëzuar nga një pajisje shpërthyese.”

Avioni rus Metrojet Airbus u nis nga qendra turistike egjiptiane Sharm El-Sheikh për në Shën Peterburg të shtunën dhe pak kohë me vonë u zhduk nga radarët.

Autoritetet britanike dërguan një ekip me ekspertë të aviacionit në aeroportin e qendrës Sharm El-Sheikh, për të vlerësuar gjendjen e sigurisë atje, para se avionët britanikë të fluturojnë nga ajo zonë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, tha se avionët amerikan nuk operojnë rregullisht në Gadishullin e Sinait. Por ai theksoi se agjencia për sigurinë ajrore disa muaj më parë i kishte paralajmëruar avionët komercialë se “mund të ishin në rrezik nga veprimtaritë ekstremiste”, nëse do të fluturonin mbi gadishullin e Sinait.

Disa kompani ajrore, përfshirë Air France, Lufthansa, dhe Qatar Airways kanë ndërprerë fluturimet mbi gadishullin Sinai për shkaqe sigurie.

Autoritetet thonë se nuk kanë gjetur dëshmi për ndonjë sulm me raketë në momentin kur u rrëzua avioni. Kjo e lë të hapur mundësinë për një shpërthim brenda në avion, ose për një defekt mekanik.

Leave a Reply

Your email address will not be published.