Lajmet e fundit
Zyrtarët mitrovicas: Kemi paralajmëruar për skenarin në veri

Zyrtarët mitrovicas: Kemi paralajmëruar për skenarin në veri

Zyrtarët e Komunës së Mitrovicës kanë dënuar incidentet e shkaktuara nga grupet ekstremiste serbe në veri të qytetit, që kanë penguar mbajtjen normale të zgjedhjeve lokale atje. Në ndërkohë është përshëndetur mbarëvajtja e zgjedhjeve në jug të qytetit, ku nuk është shënuar asnjë incident.

Ecuria e zgjedhjeve si dhe gjendja e sigurisë ishin temat kryesore në takimin e Komitetit lokal të sigurisë që u mbajt të hënën në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës.

Situata e sigurisë në javën e kaluar u vlerësua kryesisht e qetë, me përjashtim të ditës së diel kur grupe ekstremiste serbe penguan zhvillimin normal të zgjedhjeve lokale që u zhvilluan për herë të parë në gjithë territorin e Kosovës.

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se vazhdimisht nëpër takimet e këtilla kanë paralajmëruar për një skenar të tillë ditën e zgjedhjeve në veri. “Duke parë aktivitetet e grupeve ekstremiste kundër mbajtjes së zgjedhjeve gjatë muajit të kaluar janë parashikuar incidente të tilla, mirëpo strukturat e sigurisë, në radhë të parë ato ndërkombëtare nuk kanë qenë të përgatitura për t’u përballur me këtë situatë”, tha ai.

Ai tha se në veri duhet prani më e madhe dhe vendosmëri më e madhe e strukturave të sigurisë në mënyrë që të parandalohen incidentet.

“Kemi parë vullnetin e qytetarëve për të votuar, prandaj vlerësojmë se strukturat e sigurisë duhet të krijojnë kushte për një të tillë dhe të izolojnë grupet kriminale dhe ekstremistë që janë duke vepruar atje”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.