Një zyrtar i lartë i Agjencisë amerikane të zbulimit i ka hedhur poshtë raportimet se SHBA-ja ka përgjuar telefonatat e qytetarëve francezë. Drejtori i Agjencisë kombëtare të zbulimit, James Clapper, i ka quajtur si të pavërteta raportimet e fundit të gazetës “Le Monde” rreth programeve amerikane të përgjimit në Francë.
“Artikujt e fundit të publikuar në gazetën franceze, “Le Monde” përmbajnë informacione të pasakta sa u përket aktiviteteve të agjencive amerikane të zbulimit nëpër botë. Deklaratat se Agjencia amerikane e Zbulimit ka përgjuar më shumë se 70 milionë telefonata të qytetarëve francezë, janë të pavërteta”, ka theksuar Clapper.
Ai nuk ka pranuar të diskutojë për detaje të aktiviteteve të përgjimit, por ka pranuar se “SHBA-ja mbledh të dhëna të atij lloji siç bën edhe çdo shtet tjetër.”