Ish-anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, Worawi Makudi, është suspenduar sërish të hënën pasi ka dështuar të respektojë suspendimin e mëhershëm që i ishte dhënë gjatë një hetimi ndaj tij për keqpërdorim të detyrës. Lajmin e ka bërë të ditur FIFA.
Worawi, që ishte në komitet në dhjetorin e vitit 2010 kur Rusia fitoi të drejtën e organizimit të Botërorit 2018 të futbollit dhe Katari për organizimin e Botërorit 2022, është suspenduar nga Komiteti Etik i FIFA-s që nga tetori derisa komiteti po kryen hetimet ndaj tij, përcjell sot Koha Ditore.
Komiteti Etik i FIFA-s nuk ka dhënë detaje për shkeljet që ka bërë Worawi, por ish-presidenti i Federatës së Futbollit të Tajlandës (FAT) ka mohuar të ketë bërë ndonjë shkelje.
Mirëpo tash Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka dhënë një suspendim prej 90 ditëve ndaj Worawit që ka hyrë në fuqi nga dita e hënë, dhe po ashtu e ka gjobitur me 3000 franga zvicerane dhe i ka tërhequr vërejtjen pasi është zbuluar se ai ka shkelur kushtet e suspendimit të mëhershëm të Komitetit Etik të FIFA-s.