(E plotësuar, 13:15) -Përveç dy rasteve që janë paraqitur më herët, një në Zhegër, e që ka të bëjë me fotografim të votës dhe rasti tjetër në Shtërpcë për dëmtim të pronës, në prokurorinë e shtetit, është paraqitur dhe një rast tjetër në Prizren, ku një zyrtarë i lartë i KKZ-së, dyshohet për manipulim të votave.
Kështu ka deklaruar, koordinatorja për zgjedhje në Prokurorinë e shtetit, Laura Pula, në konferencën e dytë për media, të mbajtur gjatë ditës së sotme, ku ka njoftuar për veprimet, që po ndërmarrin prokurorët e shtetit me qëllim të mbrojtjes së votës së qytetarëve.
Prokurorja e shtetit fton sërish të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe subjektet politike, që të denoncojnë tek prokuroi i shtetit dhe Policia e Kosovës, të gjitha rastet e manipulimeve dhe keqpërdorimeve.
“Deri në këto momente kemi pasur dhe më parë kemi pasur dy raste. Një rast ka qenë në Zhegër, fotografimi dhe publikimi i votës. Pas intervistimit të personit të dyshuar kemi konstatuar, se personi i dyshuar, këtë fotografim në Fb e tij e ka bërë para mesnatës rreth orës 2.00 dhe nuk kemi të bëjmë me blerje apo manipulim apo ndonjë vepër penale. Gjithashtu, edhe në qytezën e Shterpcës kemi pasur një vepër penale të dëmtimit të pronës. Iu informojmë se akoma nuk kemi persona të dyshuar, të cilët kanë dëmtuar veturat, në afërsi të komunës në qytezën e Shtërpcës. Gjithashtu, deri në këto momente kemi një rast tjetër në Prizren, ku është duke u intervistuar, një zyrtarë i lartë i KKZ-së, i cili dyshohet për manipulim të votave”, tha Pula, transmeton KP.
Ajo tha se prokurorët kujdestar janë në të gjitha qendrat, e po ashtu dhe në veri të Mitrovicës.
Ndërsa, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani tha se gjendja e sigurisë është e qetë dhe procesi zgjedhor po zhvillohet normalisht. Ai tha se janë prezent edhe në veri dhe se kanë një bashkëpunim të mirë me KFOR-in dhe EULEX-in.
“Sa i përket prezencës policore, tani më dihet se me kohë prezenca policore, ka qenë dhe në zgjedhjet e kaluara, por dhe në këtë rast në veriun e Mitrovicës. Sa i përket kontakteve me institucionet e tjera të sigurisë, që janë EULEX dhe KFOR-i, ne me kohë në bazë të urdhrit operativ që kemi të hartuar, e kemi paraparë mënyrën e kontakteve direkte dhe prezencën e përbashkët në pjesën e veriut. Koordinimi dhe bashkëpunimi është i ngushtë me KFOR-in dhe EULEX-in dhe do të jenë prezent deri në përfundim të qendrave të votimit dhe ofrimin e sigurisë për përcjelljen e materialit senzitiv”, tha ai.Ndryshe, Policia e Kosovës ka angazhuar mbi 5100 policë në tërë territorin e Kosovës dhe se situata e deritanishme raportohet të jetë e qetë./Telegrafi
Deri në orën 11:00, votuan mbi 100 mijë qytetarë
(E plotësuar, 12:15) Qytetarët e 25 komunave po vazhdojnë të votojnë në balotazhin për zgjedhjet lokale, ku deri në orën 11:00 kanë votuar 102 mijë e 5 votues, apo 7.67 për qind, që është më pak se sa në raundin e parë në të njëjtën kohë.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se duke u bazuar në raportet e KKZ-ve, dalja e votuesve në zgjedhje është 102 mijë e 5 votues apo 7.67 për qind.
Ndërsa, rreth ecurisë së procesit zgjedhor, ajo ka thënë se ecuria e votimit deri në orën 11:00, nuk kanë raporte për parregullsi apo ngjarje që do ta prishnin imazhin e këtyre zgjedhjeve. /Telegrafi/
—————————————————————-
DnV evidenton parregullsi në disa vendvotime
(E plotësuar, 10:40) Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” (DnV) , në konferencën për media ka raportuar për disa parregullsi që janë evidentuar deri tash.
Driton Selmanaj nga DnV tha se parregullsi janë evidentuar në komunën e Gjakovës. “Në shkollën ‘Yll Morina’ është evidentuar një rast i fotografimit të votës. Gjithashtu edhe në shkollën ‘Hasan Prishtina’ në Gjakovë dyshohet për fotografim të votës”, ka theksuar ai.
“Ndërsa prezenca e materialit propagandues është vërejtur në disa vendvotime nëpër disa komuna të Kosovës. Në shkollën ‘Remzi Ademi’ dhe ‘11 Marsi ne Prizren, pastaj në fshatin leshin dhe varosh në Ferizaj. Prezenca e materialit është prezente edhe në komunën e Mitrovicës – në Shkollën ‘Bedri Gjina’, pastaj në fshatin Zhilivodë në komunën e Vushtrrisë”.
“Një rast tjetër i evidentuar nga vëzhguesit e ‘Demokracisë në Veprim’ është votimi i hapur nga ana e një qytetari. Në shkollën ‘Dardania’ në Prishtinë mungon faqja e 34 e listës së votuesve. Deri në këtë kohë dalja e qytetarëve është e vogël, megjithatë qytetarët le të votojnë dhe ta shfrytëzojnë të drejtën demokratike dhe kushtetuese që e kanë ata. Konferenca e radhës e ‘Demokracisë në Veprim’ do të mbahet në orën 14”, ka thënë Selmanaj./Telegrafi/
——————————————————————–
Balotazhi, deri tash dy raste në prokurori
(E plotësuar, 10:00) – Deri më tani në Prokurorinë e Kosovës janë paraqitur dy raste lidhur me parregllsitë në rpocesin e votimit nè balotazh për kryetar komunash.
Një rast është hapur në Zhegër për fotografim të votës dhe një në Shtërpcë për dëmtim të pronës.
Informatën e ka konfirmuar Laura Pula në një konferencë për media.
Ajo ka thënë se edhe një rast tjetër ka qenë në Prishtinë për lajmërim të rrejshëm ku një përfaqësues i subjektit politik ka lajmëruar për një rast të fotografimit të votës dhe pastaj është tërhequr, transmeton KP.
Ndërsa, zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani tha se Policia e Kosovës i ka inkuadruar mbi 5100 zyrtare policor në tërë territorin e vendit dhe se situata e sigurisë është e qetë./Telegrafi/
——————————————————————
Hapen të gjitha vendvotimet për balotazhin
(E plotësuar, 8:00) Në 25 komuna të Kosovës, sot zhvillohet gara e balotazhit përmes së cilës qytetarët me të drejtë vote, kanë mundësinë që të votojnë për zgjedhjen e kryetarëve të rinj për mandatin e ardhshëm.
Hapjen e të gjitha vendvotimeve në komunat ku zhvillohet balotazhi, e ka konfirmuar edhe kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, në konferencën e parë për sot të orës 8, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë problem.
“Duke u bazuar në raportet e Komisioneve Komunale të zgjedhjeve, janë hapur të gjitha vendvotimet që në orën 7 të mëngjesit”, ka thënë Daka.
Zgjedhjet do të mbahen edhe në tri vendvotime në Zveçan, ku për shkak të parregullsive në rrethin e parë, do të ketë rivotime. /Telegrafi/
————————————————–
Filluan votimet në balotazh
Në 25 komuna janë hapur 1816 vendvotime në 594 Qendra të Votimit, ku do të votojnë rreth 1 milion e 40 mijë qytetar me të drejt vote.
Kurse, në Zveçan do të ketë përsëritje të votimit të raundit të parë në tri vendvotimem ku të drejt vote kanë 2595 votues.
Të drejt vote përmes postës kanë 11.738 votues.
Komisioni Qendror i Zgjedhje tashmë ka konfirmuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të raundit të dytë.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur të shtunën, një ditë para balotazhit, të gjithë komponentët e përfshirë në procesin elektoral. Ajo ka vlerësuar se më 1 dhjetor, Kosova do të dëshmojë se do ta kalojë me sukses testin e demokracisë.
“Zgjedhjet e 1 dhjetorit duhet të dëshmojnë se Kosova është shtet i së drejtës dhe shtet i qytetarëve të barabartë”, ka thënë Jahjaga.
Ajo ka kërkuar nga organet përgjegjëse që të mos tregohet kompromis për ata që cenojnë procesin.
Nga aspekti i sigurisë, Policia e Kosovës ka angazhuar 5.100 zyrtarë policorë për të siguruar mbarëvajtjen e procesit.
Balotazhi do të mbahet edhe në Mitrovicën e veriut, ndërkaq në Zveçan do të përsëriten zgjedhjet në tri vendvotime. Për shkak të rrethanave specifike në atë pjesë, Policia e Kosovës do të bashkërendojë masat dhe veprimet me EULEX-in dhe KFOR-in.
“Policia e Kosovës do të bashkëpunojë dhe bashkërendojë aktivitetet operacionale edhe me EULEX-in, si reagues i dytë dhe KFOR-in si reagues i tretë në rast nevoje, për të parandaluar incidentet e mundshme, të cilat mund të kenë ndikim në procesin e votimit”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, transmeton Rel.
Ngjashëm me votimet e 3 nëntorit, edhe në balotazh, ku janë përfshirë 50 kandidatë në garën për 25 vende për kryetar në komunat e Kosovës, i gjithë procesi do të monitorohet dhe vëzhgohet nga afër nga organizata vendase e ndërkombëtare.
Bashkimi Evropian, ditën e zgjedhjeve do të ketë 71 vëzhgues.
Një numër të caktuar vëzhguesish do ta kenë edhe ENEMO dhe organizatat tjera ndërkombëtare.
Kurse, me mbi 1.600 vëzhgues do t’i përcjellë votimet edhe koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”.
Ndërsa balotazhi po zhvillohet në 25 komuna, po nga zgjedhjet e lokale të 3 nëntorit në 13 komuna kryetarët u zgjodhën qysh në rrethin e parë. Këto zgjedhje prodhuan si rezultat edhe zgjedhjen e asamblistëve të rinj nëpër të gjitha komunat e Kosovës.
Kush me kë në balotazh?
Balotazhi për kryetar në 25 komuna të Kosovës, zhvillohet nga 50 kandidatë, të cilët vijnë nga subjekte të ndryshme politike. Më poshtë publikojmë emrat e tyre dhe qytetet ku zhvillohet gara e balotazhit. /Telegrafi/
Prishtinë: Isa Mustafa (LDK) dhe Shpend Ahmeti (Vetëvendosje)
Gjakovë: Mimoza Kusari Lila (AKR) dhe Pal Lekaj (AAK-LDD)
Prizren: Ramadan Muja (PDK) dhe Eqrem Kryeziu (LDK)
Pejë: Gazmend Muhaxheri (LDK) dhe Ali Berisha (AAK-LDD)
Gjilan: Lutfi Haziri (LDK) dhe Qemajl Mustafa (PDK)
Mitrovicë e Jugut: Avni Kastrati (PDK) dhe Agim Bahtiri (AKR)
Mitrovicë e Veriut: Krstimir Pantiq (GIS) dhe Oliver Ivanoviq (IQ)
Ferizaj: Agim Aliu (PDK) dhe Muharrem Svarça (LDK)
Malishevë: Ragip Begaj (IQM) dhe Sali Morina (LDK)
Rahovec: Idriz Vehapi (PDK) dhe Smajl Latifi (AAK-LDD)
Dragash: Selim Jenuzi (PDK) dhe Fatmir Mehmeti (LDK)
Graçanicë: Branimir Stojanoviq (GIS) dhe Bojan Stojanoviq (SLS)
Junik: Agron Kuçi (AAK-LDD) dhe Zenun Shala (LDK)
Kamenicë: Shaip Surdulli (LDK) dhe Begzad Sinani (PDK)
Klinë: Sokol Bashota (PDK) dhe Enver Berisha (LDK-LDD)
Lipjan: Shukri Buja (PDK) dhe Imri Ahmeti (LDK)
Novobërdë: Bajrush Ymeri (LDK) dhe Svetislav Ivanoviq (GIS)
Obiliq: Mehmet Krasniqi (LDK) dhe Xhafer Gashi (AAK-LDD)
Suharekë: Sali Asllanaj (LDK) dhe Bali Muharremaj (AAK-LDD)
Viti: Sokol Haliti (LDK) dhe Nexhmedin Arifi (PDK)
Vushtrri: Bajram Mulaku (PDK) dhe Muharrem Shabani (AAK-LDD)
Partesh: Nenad Cvetkoviq (SLS) dhe Dragan Nikoliq (GIS)
Ranillugë: Gradimir Mikiq (GIS) dhe Milan Aritonoviq (SNPK)
Shtërpcë: Bratislav Nikoliq (SLS) dhe Ivan Rexhiq (GIS)
Kllokot: Sreçko Spasic (GIS) dhe Sasha Mirkoviq (SLS) /telegrafi