Lideri i partisë opozitare Lëvizja Nacionaliste (MHP), Devlet Bahceli, ka lavdëruar operacionin e agjencisë së Inteligjencës turke (MIT) në Kosovë që rezultoi me arrestimin e gjashtë shtetasve turq të dyshuar si pjesëtarë të Lëvizjes FETO, e cila cilësohet organizatë terroriste në Turqi.
Në bashkëpunim me AKI-në, MIT-i arrestoi gjashtë burra, të cilët Turqia thotë se janë përgjegjës për largimin e pjesëtarëve të organizatës FETO nga Turqia për në Evropë e SHBA, krahas aktiviteteve të tyre në Ballkan, raporton Anadolu Agnecy.
“Këtë duhet ta bëjë shteti”, ka thënë Bahceli gjatë takimit të Grupit Parlamentar të partisë së tij të martën.
“Ka shumë tradhtarë që po veprojnë si të çmendur në SHBA dhe në vende evropiane”, shtoi ai.
Bahceli bëri thirrje që në të njëjtën formë të sillet edhe lideri i lëvizjes nga SHBA, Fetullah Gulen.
“Nëse predikuesi tradhtar në Pensilvani do të kapej gjatë natës nga rinia e guximshme turke derisa në kokë ia hedhin një kapuç, dhe më pas nëse do të mund të sillej në Turqi për t’u përballë me drejtësinë me një aeroplan apo anije përmes oqeanit, në atë rast të gjitha maskat e projektit do të binin”, tha Bahceli.
“Në këtë rast, ndërgjegjja kombëtare do të merrte frymë thellë. FETO, që orkestroi tentim puçin korrikun e vitit 2016 në Turqi, është projekt i grupit terrorist”, tha tutje ai.