Lajmet e fundit
Peticion për shpalljen “Non grata” historianin turk që fyeu Skënderbeun

Peticion për shpalljen “Non grata” historianin turk që fyeu Skënderbeun

peticjonShumë pak orë pas publikimit të deklaratave denigruese të historian-ciceronit turk, Talha Ugurluel, ndaj heroit tonë kombëtar Skënderbeu, lëvizja “ShqipON”, nëpërmjet një peticioni “online” në faqen “Change.org” kërkon të mbledhë sa më shumë firma të qytetarëve, që turku Ugurluel të shpallet person “Non grata”, apo “i padëshirueshëm”.
“Skënderbeu është simboli ynë kombëtar dhe si i tillë mbrohet prej Kushtetutës dhe Kodit Penal. Kërkojmë shpalljen ‘Non grata’ të historianit turk Talha Ugurluel, për fyerje të simboleve kombëtare shqiptare. Kërkojmë zbatimin e ligjit penal shqiptar dhe parimin e reciprocitetit mes popujve, sanksionuar nga e drejta ndërkombëtare”, shkruhet në peticionin e publikuar në “Change.org”.
Disa ditë më parë u publikuan videot e turkut Talha Ugurluel, i cili gjatë një udhëtimi me një grup shtetasish turq në Shkodër dhe Lezhë, ka bërë paralelizma mes terroristëve kurdë dhe Skënderbeut, transmeton Tch.
Sipas tij, heroi ynë kombëtar nuk ka qenë asgjë tjetër veçse një tradhtar i Perandorisë Osmane, plaçkitës, bandit dhe kusar. Talha Ugurluel është i njohur në Turqi, pasi ka një emision rreth historisë osmane në kanalin “Haberturk”, ndërkohë që bën një emision në radion publike të Turqisë “TRT1”.
Historian-ciceroni Ugurluel organizon udhëtime në vendet që kanë qenë pjesë e ish-Perandorisë Osmane dhe tregon historinë e tyre sipas variantit të tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published.