Lajmet e fundit
Shkupi akuzon Tiranën për përzierje në punët e brendshme të Maqedonisë

Shkupi akuzon Tiranën për përzierje në punët e brendshme të Maqedonisë

shkupizyrtarShkup, 4 prill – Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Fatos Reka, mbrëmë është thirrur në bisedime në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë.
Siç kumton Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë, thirrja e ambasadorit shqiptar vjen pas, siç thonë nga atje, “deklaratave dhe komenteve të shpeshta sulmuese nga zyrtarët e Shqipërisë drejtuar Maqedonisë dhe qytetarëve të saj”.
“Në takim është theksuar se deklaratat e kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë për dygjuhësinë dhe ndryshimin e rendit Kushtetues të Maqedonisë është ndërhyrje e hapur në punët e brendshme të vendit. Etiketimi i maqedonasve si ‘sllavo-maqedonas’ është fyese dhe diskriminuese për të gjithë maqedonasit dhe qytetarët e Maqedonisë”, theksohet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë.
Në fund të njoftimit theksohet se Ministria e Punëve të Jashtme apelon “që të ndalen provokimet, të respektohet sovraniteti dhe të punohet në planin e marrëdhënieve të mira fqinjësore për të mirën e të gjithë rajonit”.
“U theksua se mesazhet e tilla janë një provokim serioz i fqinjësisë që ne duam të kultivojmë. Ata bëjnë dëme afat-gjate në marrëdhëniet në rajon, si dhe nxisin retorikë ekstremiste. Ajo që na duhet në rajon është bashkimi rreth integrimit në BE, paqes dhe përparimit ekonomik”, thuhet në njoftim.

Leave a Reply

Your email address will not be published.