Të dërguarit e lartë nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia priten të marrin vëmendjen kryesore në konferencën për siguri në Mynih.
Konferenca mbahet vetëm një ditë pasi Uashingtoni ka njoftuar për paditë kundër disa qytetarëve dhe kompanive ruse, të cilët janë akuzuar, se kanë tentuar të ndërhyjnë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov pritet të mbajë sot një fjalim në konferencë e sigurisë, e cila organizohet çdo vit duke mbledhur liderët botërorë dhe zyrtarë të lartë.
Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, H.R McMaster, pritet të mbajë fjalimin e tij menjëherë pas ministrit rus, Lavrov.
Gjatë ditës së djeshme, këshilltari special, Robert Mueller ka njoftuar për paditë kundër 13 rusëve dhe tri kompanive po ashtu ruse, për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Presidenti Trump, i cili ka përsëritur vazhdimisht dëshirën e tij për të rregulluar marrëdhëniet me Moskën, ka thënë pas njoftimit, se amerikanët duhet të bashkohen kundrejt përpjekjeve që nxisin konflikte siç janë, “aktorët e dobët sikurse Rusia”.
Rusia i hedh poshtë këto akuza.
Para fjalimit të tij në konferencë, Lavrov pritet të mbajë një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.