Mbrëmë rreth orës 22, në parkingun e Entit të Statistikave të Kosovës, janë djegur qëllimisht tri vetura zyrtare të këtij institucioni
Lajmin e ka bërë të ditur ASK’ja përmes një komunikate për shtyp, ku ndër të tjera thuhet se dëmet më të mëdha janë bërë në pjesën e prapme të veturave, ndërsa nga djegia e tërësishme veturat i kanë shpëtuar rojat të cilët kanë qenë të pranishëm.
Gazeta Express ka kontaktuar Policinë e Kosovës në lidhje me rastin. Në përgjigjen për Express, Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për rajonin e Prishtinës ka thënë se policia po zhvillon hetimet e nevojshme, ndërsa ka shtuar se deri më tani nuk ka të arrestuar.
“Njësitë policore janë duke hetuar rastin dhe në konsultim me prokurorin, është iniciuar rasti: shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ka thënë Ahmeti për Express.
Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje është distancuar nga ky rast. Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi i ka thënë Gazetës Express se Vetëvendosje nuk ka lidhje me këtë rast.
Deri më tani mbeten të paqarta motivet dhe personat që e kanë kryer këtë vepër.