Gjyqtari i procedurës paraprake në Prishtinë i ka caktuar paraburgim në afat prej 30 ditësh Valmir Osmanajt, i dyshuar për veprat penale të pjesëmarrjes në turmë në të cilën është bërë huliganizëm, sulm ndaj personit zyrtar dhe dëmtim e asgjësim i pasurisë në protestën e partive opozitare të 18 nëntorit në Prishtinë.
I pandehuri ishte ndaluar që nga 23 nëntori.
Avokati i të dyshuarit, Veton Rrecaj, ka paralajmëruar ankesë kundër këtij vendimi.
“Mendoj se kjo masë nuk është proporcionale me rrezikun e veprës sepse ka mundur t’i caktohet një masë më e butë. Masa e paraburgimit është një masë e rëndë për këtë vepër”, tha Rrecaj.
Gjyqtari i procedurës paraprake këtë vepër e ka arsyetuar me faktin se ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale./kallxo.com