Lajmet e fundit
FSK-ja drejt integrimit euroatlantik

FSK-ja drejt integrimit euroatlantik

Prishtinë, 27 nëntor – Me ceremoni festive në kazermën “Adem Jashari”, u shënua dita e themelimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjga, me këtë rast rikujtoi se festimi i të arriturave të FSK-së sivjet ka marrë një dimension të ri dhe një trajtë konkrete të suksesit të zyrtarizuar me vendimin e NATO-s për të deklaruar arritjet e kapaciteteve të plota operacionale të FSK-së.
Në integrimin tonë euroatlantik, padyshim, FSK-ja do të jetë mekanizëm i rëndësishëm i zbatimit të politikave të emergjencave dhe të sigurisë së vendit tonë dhe i angazhimit dhe kontributit të Republikës së Kosovës në misionet e përbashkëta me partnerët tanë, me të cilët ndajmë vlerat për një botë të lirë dhe në paqe, tha ajo.

Presidentja Jahjaga pasi falënderoi oficerët dhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës “për  përpjekjet e vazhdueshme për të përmbushur qëllimin tonë të përbashkët, për Kosovën tonë dhe zbatim i një vizioni të qartë për t’u bërë pjesë e strukturave euroatlantike”,  shtoi se në këtë rrugëtim të rëndësishëm dhe në përballje me sfidat që na presin në të ardhmen, që janë të lidhura ngushtë me punën tuaj, ne kemi mbështetjen edhe të NATO-s dhe forcës së saj paqeruajtëse në Kosovë, si dhe të Gardës Kombëtare Amerikane, përmes mbikëqyrjes dhe përkrahjes konkrete që i ofrojnë Forcës së Sigurisë së Kosovës, për të kryer të gjitha detyrat që i ngarkohen asaj.
Në dekadat e fundit, vendi ynë ka kaluar nëpër procese të shumta transformuese nga të cilat kemi dalë me guxim dhe vendosmëri për të realizuar plotësisht ëndrrën e gjeneratave të tëra, që sakrifikuan shumë për lirinë tonë.
E them me bindje se Kosova e sotme është realizim i kësaj ëndrre të gjatë dhe zbatim i një vizioni të qartë të qytetarëve të saj me përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare për të ndërtuar një Kosovë të re që frymon lirshëm.
Ky përkushtim po e udhëheq edhe procesin e rishikimit të sektorit të sigurisë, një proces tejet jetik për të ardhmen e vendit tonë që për herë të parë po bëhet nga Kosova për Kosovën.

Suksesi i reformimit dhe profesionalizimit tuaj të mëtutjeshëm është i garantuar falë guximit, kurajës, durimit dhe zotimit tuaj për ta përmbushur misionin tuaj për një Kosovë paqësore dhe demokratike, për një shoqëri që ka për synim parësor investimin në sigurinë e çdo qytetari të saj dhe ku secili qytetar bashkëpunon me institucione me besimin se ato ekzistojnë për t’i mbrojtur dhe për ta kryer punën e tyre në lehtësimin e jetës së qytetarit me ndershmëri.
Jam e bindur se përkushtimi ynë për t’i ruajtur vlerat e idealet mbi të cilat u betuam dhe për të përforcuar dhe avancuar bashkëpunimin me aleatët tanë strategjikë,  kurrë nuk do të vihet në dyshim.

Kryeministri i Kosovës, duke folur në ceremoninë e shënimit të Ditës së Forcës së Sigurisë të Kosovës rikujtoi se ajo, në koordinim të plotë dhe asistencë në çdo fushë nga aktorët ndërkombëtarë, me theks të veçantë me NATO-n dhe KFOR-in, ka arritur të transformohet në një organizatë serioze, të respektuar, profesionale dhe shumetnike.
“Me profesionalizmin dhe përkushtimin e saj ka arritur të përmbushë obligimet e parapara me Udhërrëfyes, dhe prandaj në korrik të këtij viti, Forca e Sigurisë na bëri të gjithëve krenarë kur arriti t’i përmbush kapacitetet operacionale të parapara nga NATO”, tha kryeministri. Qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me partnerë strategjik dhe miq të Kosovës, që nga fillimi i vitit të kaluar ka filluar të bëjë Rishikimin Strategjik të Sektorit të Sigurisë në Kosovë. Synim i këtij rishikimi, siç tha ai, është ristrukturimi i strukturës së sigurisë dhe dhënia e kompetencave çdo organizate të sigurisë karshi synimeve tona strategjike për të ardhmen.  Në këtë proces, FSK e ka rolin e saj primar dhe me përgjegjësi të plotë mundë të ju them se kjo Forcë në të ardhmen do të marr rolin e saj të merituar në shërbimit të mbrojtjes së sovranitetit shtetëror të Kosovës.
Për më tepër, ne synojmë që kjo forcë sa më shpejt të fillojë edhe formalisht përfshirjen e saj në Partneritetin për Paqe në kuadër të bashkëpunimit zyrtar me NATO-n.
Kjo është një e arritur e jashtëzakonshme, historike dhe madhështore, për të cilat u flijuan breza të tërë, gjeneratë pas gjenerate.

Ne të gjithë ndajmë së bashku ndjenjën e krenarisë dhe patriotizmit, por edhe kujtimit për të gjithë ata që na ndihmuan në këtë rrugëtim të gjatë, që dhanë jetën e tyre dhe që janë më meritorët që ne sot jemi këtu.
Forca e Sigurisë, Ministria e FSK-së dhe të gjithë ne kemi detyra shtesë në angazhimet tona drejt arritjes së qëllimeve madhore, prandaj ne ende duhet të punojmë që të transformojmë Kosovën në një shtet të zhvilluar evropian.
Kosova është një, sovrane dhe e pandashme, shtet i të gjithë qytetarëve të saj. Ngjashëm edhe FSK, është strukturë e pandashme dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj.
Ju jeni pasqyra dhe emblema e këtij shteti, e shtetit të Kosovës, barteni uniformën e juaj me krenari, guxim dhe përgjegjësi, i këshilloi kryeministri Hashim Thaçi pjesëtarët e FSK-së sot, në ditën e tyre. koha

Leave a Reply

Your email address will not be published.