Shtatë lëndë të hapura dhe 16 të arrestuar janë të dhënat e prokurorisë së shtetit për procesin zgjedhor.
Laura Pula, Koordinatore për Zgjedhje në Prokurorinë e Shtetit thotë se rastet e tilla kanë ndodhur në Gjilan, Mitrovicë, Malishevë, Drenas, Istog dhe Podujevë.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelanim thotë se në përgjithësi situata është e qetë dhe nuk ka pasur ndonjë rast, i cili do ta pengonte procesin zgjedhor.
Ndërkohë, Prokuroria e shtetit raporton për një rast që bëhet fjalë për një anëtar të një subjekti politik, afër një qendre të votimit, që po shpërndan disa kartele duke i udhëzuar qytetarët se për kënd të votojnë dhe se policia ka marrë personin dhe po e interviston.
Po ashtu, Prokuroria e shtetit ka bërë të ditur se janë gjashtë prokuror kujdestar që po përcjellin mbarëvajtjen në Prizren.
“Sot, Prokuroria Themelore e Prizrenit ka angazhuar gjashtë prokurorë, të cilët janë kujdestar dhe po e përcjellin mbarëvajtjen e zgjedhjeve këtu në regjionin e komunës së Prizrenit”.
“Qysh në mëngjes, pak para orës 8:00, jemi informuar se në disa vendvotime kemi pasur mungesë të vulave, është vonuar hapja e vendvotimeve dhe, ndërkohë kanë marrë vulat rezervë, i kanë futur në përdorim dhe pastaj ka vazhdua procesi i votimit”.
“Ne kemi kontaktuar me policinë dhe i kemi autorizuar policinë që të marrin veprimet hetimore për rrjedhën e këtyre vulave, ende nuk i kemi rezultatet se çfarë ka ndodhë me këto hetime, por, bëhet fjalë për tri raste këtu në Prizren”.