Lajmet e fundit

Arrestohen nënë e bijë për vrasjen e foshnjës në Koshtovë

Policia e Kosovës ka arritur të identifikojë dhe më pas edhe të arrestoj dy femra, nënë e bijë, njëra 19 dhe tjetra 52 vjeçe, si të dyshuara për vrasjen dhe hedhjen në mbeturina të një foshnje të gjetur dje në Koshtovë të Mitrovicës.

Në paraditen e djeshme rreth orës 09:00, Policia në Mitrovicë i është përgjigjur një thirrje telefonike të një qytetari, i cili ka njoftuar se në deponinë regjionale të mbeturinave që gjendet në fshatin Koshtovë kishte vërejtur një foshnjë pa shenja jete.

Drejt vendit të ngjarjes me urgjencë kanë reaguar njësitë policore si dhe ekipet emergjente mjekësore. Në vendin e ngjarjes haset viktima (foshnja) e gjinisë femër, e cila nga ana e mjekut është konstatuar se ishte pa shenja jete.

Nga hetimet e para policore të nisura me autorizim të prokurorit, duke pasur parasysh specifikat e zonës ku është gjendur viktima (foshnja), dyshimet e para janë ngritur se trupi i foshnjës së pajetë të jetë sjellë (hedhur) në atë lokacion nga ana e kamionëve që kanë bërë zbrazjen e mbeturinave. Hetuesit policorë mbi rrethanat faktike të vendit të ngjarjes dyshimet konkrete i kanë orientuar tek një kamion i cili kishte zbrazur mbeturina të marra nga dy lokacione të ndryshme në Vushtrri.

Pas procedimit të vendit të ngjarjes trupi i pajetë i foshnjës është dërguar për ekspertizë mjeko-ligjore.

Ecuria hetimore pas disa orë hetim intensiv ka rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e dy të dyshuarave të gjinisë femërore: SH. H. 19 vjeçar dhe K. H. 52 vjeçar. Arrestimi i tyre është bërë rreth orës 20:00 të datës 11 nëntor 2015 në Vushtrri.

Të dyshuarat në relacion (nënë e bijë), dyshohen se në bashkëveprim e kanë privuar nga jeta foshnjën e porsalindur nga e dyshuara e parë SH.H, e më pas trupin e pajetë të foshnjës e kanë hedhur në një kontejner mbeturinash në Vushtrri, nga ku trupi i viktimës ishte bartur me mbeturina në deponi.

Pas procedurave intervistuese me vendim të prokurorit të dyshuarave u është caktuar masa e ndalimit policor.

Leave a Reply

Your email address will not be published.