Çmenduria e televizioneve – pse të ndenjurat pushtojnë jetët tona

2. Zbythja e njerëzimit

Shkruan: Ballsor Hoxha

Derisa në artikullin e kaluar jemi marrë me zbythjen e shoqërisë njerëzore në dëshirat fizike, seksuale dhe insitinkitive, ky shkrim i radhës në serinë e quajtur Zbythja e Njerëzimit trajton këtë regres, kthim prapa dhe zbythje përmes zhvleftësimit të vetëdijes së njeriut, dhe posaçërisht shoqërisë shqiptare.

Në botë ka disa qytete që quhen Parisi i vogël, janë zakonisht qytete që kanë një bukuri të thellë dhe të prekshme parisiane. Edhe Shqipëria ka një të tillë, ka Korçën.

Nuk mund ta di kohën kur e ka marrë këtë përshkrim por jam shumë i sigurt se ka ardhur shumë më shumë si rezultat i pamundësisë për të qenë pjesë e botës që përfaqësonte Parisi, se sa për ndonjë bukuri parisiane, me gjithë bukurinë e tij . Më kujtohet para vetëm dy viteve, një prej televizioneve më me nam ndër shqiptarë, ka pasur një emision, mu të dielave, ku mysafirët bashkëbisedonin me moderatoret e bukura, të gjithë të zhveshur në brekë të larjes në një pishinë.

Herët e para kur e kisha parë, nga ankthi i asaj që reagonte brenda meje, vazhdimisht kërkoja lojën, apo kamerën e fshehtë, apo shpjegimin pse po ndodhte kjo mu para syve tanë. Vetëm vonë pasi që ishte ndërprerë ky halucinacion kisha kuptuar se televizioni megjithëse i krijuar prej njerëzve, megjithëse i nisur dhe përfunduar për çdo ditë në marrëveshje ndërmjet njerëzve matanë dhe para televizorëve, ai ka vullnetin e vet dhe se në të vërtetë kontrollon jetët tona.

Mirëpo nëse krahasohet zbythja kulturore, sociologjike, psikologjike dhe shpirtërore (e vërteton këtë numri i krimeve, mënyra e tyre etj) me këto “invencione” kulturore televizive, këto të fundit dalin si një hlalucionacion dhe çmenduri e pafre. Nuk ka familje kosovare, e lëre më të Shqipërisë, që së paku të dielën nuk është e ngjitur për televizori duke konsumuar ëndrrën e jetës së “mirëqenë” shqiptare. Televizionet kanë arritur të shkëpusin vdekatarin e thjeshtë shqiptar nga vuajtja e përditshme e quajtur jetë shqiptare.

Programi i tyre është thjeshtë një shtirje se ka dialog, shtirje se ka besim dhe mirëkuptim ndaj njëri tjetrit në mesin e shqiptarëve. Kjo zakonisht përcillet me muzikantët më të njohur shqiptarë të kushtëzuar nga varfëria artistike e tyre dhe mundësitë për ekspozim të artit të tyre, dhe nga varfëria e jetëve tona në anën tjetër të televizionit.

Por është edhe një grup njerëzish brenda që plotëson këtë halucinacion. Ata më të çuditshmit nga të gjithë, më të shastisurit nga kjo ëndërr, dhe më ekstremët në mbrojtjen e këtij halucinacioni: janë shikuesit që marrin pjesë live në këto programe. P.sh. është e kuptueshme pjesëmarrja e tyre në shfaqje me nivel të pranueshëm artistik për ne, apo në emisione ku takohen njerëz të shquar në hapësirat mediale tonat, por kur pjesëmarrja jote është thjeshtë një orendi në dekorin e thatë të emisioneve tjera, kjo është thjeshtë një zhvleftësim i jetës tënde. P.sh. në ato tri katër orë ai pjesëmarrës mund të tentoj, së paku të vjedh një bankë, të mashtroj dikend, apo që është krejtësisht e pazakontë të dashuroj dikë. Por pikërisht kjo në anën tjetër shpjegon jetën shqiptare.

Zbythjen nga arritja nga përvoja e re. Sepse si duket jeta që kanë këta njerëz nuk vlen as më shumë se të qenit dekor i një halucinacioni, një shtirjeje, një vdekjeje. I ceka këta të gjorë për të ilustruar përvojën e jetës së përditshmendër shqiptarël. Të kthehemi prapë tek ne. Çka në lidhje me tri-katër orët e kaluara para budallakive të televizorit? Çka lidhur me plakjen e botës për tri katër orë derisa ne kemi gjykuar pse një grua viktimë e budallakisë së saj ka mashtruar dy bijat e saj tërë jetën e tyre lidhur me babain e tyre.

Vuajtja e saj mund të jetë e vërtetë, por po aq e vërtetë mund të jetë edhe ballafaqimi me realitetin pas kësaj, dhe nuk jam i sigurtë cila do të jetë më e rëndë. Sado e madhe vuajtja e kësaj gruaje, në anën tjetër: falja, apo mirëkuptimi, apo pajtimi para televizionit dhe para gjithë shqiptarëve janë pjesë e halucinacionit. Që do të thotë janë të bëra publike, derisa janë pafundësisht të ndra nga realiteti që e që e përçmon këtë vuajtje, që e ka shkaktuar këtë vuajtje. Para disa kohe një nga mendimtarët dhe shkrimtarët më të njohur të globit, Umberto Eco, ka pasur një trajtim se çka ka ndodhur me turpin e njeriut sot. Ku ka mbetur ai, dhe po e shtoj unë, si është transformuar ai. Sot vajza në moshën fëmijërore dalin në foto dhe i publikojnë ato duke mbajtur organin e tyre seksual; duhet dalë në foto në tualet, apo duhet bërë foto me të vdekurin gjatë ceremonisë.

Një bend holandez i femrave para disa kohe ka bërë një video muzikore të tyre duke përjetuar orgazmën. E njëjta ide është vjedhur së voni dhe femra të zakonshme janë incizuar duke lexuar në momente të përjetimit të orgazmës së tyre. Ndërsa, në anën tjetër, vetëm para relativisht pak kohe, orgazma femërore ka qenë një prej fenomeneve më të mbrojtura, më private të njerëzimit.

Ka pasur dhe grupe patriarkale që kanë pohuar se ajo as nuk ekziston, me qëllimin e tyre për të “mbrojtur” njerëzimin nga liria femërore, pastaj janë të njohura rastet, ritualet dhe mentalitetet që kanë kastruar fizikisht femrat etj. Halucinacionet televizive shqiptare janë një dukuri e kësaj bote. Të qenit i gjykuar para tërë botës, apo shfaqja e zogut dhe kapja e tij janë e njëjta gjë.

Janë zbulimi i fshehtësisë më të madhe personale jo vetëm psikike, por dhe fizike para tërë njerëzimit. Ajo që dua të them është se njerëzimi, dhe sidomos shoqëria jonë shqiptare, pa kurrfarë mbrojtje (përmes opinionit, debateve dhe hapjes së plagëve me qëllim të tejkalimit të tyre), është duke u rrëzuar dhe rrënuar para mundësive të “kulminacionit” komercial. Kjo jetë, ky trend, kjo dëshirë e zjarrtë për të qenë i dukur është vetëm ankthi nga modernia, modernizmi (i mirëfilltë) duke i dhënë rëndësi atributeve fizike dhe duke iu nënshtruar nevojave j vetëm të fshehta por edhe të rrezikshme. Ajo që u tha më lartë, dallimi planetar dhe kozmik ndërmjet realitetit dhe asaj që ndodh në spektaklet tona, është pikërisht ëndërrimi ynë për të ikur nga jeta e pamundshme në realitet.

E tëra do të ishte në rregull po të jetonim në Finlandë diku, ku mirëqenia mundëson zbutjen e mekanizmave mbijetues (të egër) dhe të mbrojtjes së njeriut dhe mund të falësh dhe shfaqësh dobësitë e tua. Shqiptarët si shoqëri janë ende në sistemin klanor të vlerave (apo kanë pësuar regres në këtë nivel) dhe nuk mund të dallojnë që qenit i hapur nga të qenit i sëmurë mendërisht. Kjo vërtetohet nga disproporcion i pamatshëm ndërmjet krimeve familjare, dhunës familjare dhe monstruoziteteve familjare që raportohen nga të njëjtat media dhe kësaj pamje të lumturisë të dielave. Dhe mu kjo e bënë çdo të diel tonën të ngjitur para televizioneve si një ritual i një sekti tërësisht halucinant.

Që duke u fundosur thellë e më thellë në “kënaqësitë bashkëkohore”, arrijmë të bindim veten se jemi duke u kënaqur në këtë jetë të re. Ajo që është më interesantja në tërë këtë është se kosovarët i shikojnë këto emisione sikur të ishin kulmi i botës dhe se vetëm përmes tyre mund të kuptohet, modelohet dhe të huazohet pak kënaqësi.

Këto halucinacione të televizuara ngjajnë në Hollywood-e të prera copë, mu si Parisi i vogël Korça, që ka këtë emër shumë më shumë për shkak të mungesës së një realiteti stabil.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*