Janë zbuluar detaje të reja mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur në Shkodër, ku humbi jetën komandanti i FNSH. Autori i vrasjes, 56-vjeçari, Ruzhdi Arishta, ka bërë një rezistencë të pabesueshme ndaj forcave të RENEA dhe FNSH, ku u vra pas 12 orësh rrethim.
Ai ka mbajtur gjatë kësaj kohe i vetëm mbi 200 forca policie, i izoluar në banesën e tij në Obot të Ri. Arishta ka plagosur fillimisht fqinjin e tij dhe pas rrethimit të policisë ka vrarë komandantin Simon Gjeta. Ai ka lëshuar mbi këtë të fundit një breshëri plumbash, 3 prej të cilëve e kanë zënë në qafë e kokë, duke i marrë jetën.
Pas kësaj, 56-vjeçari ka mundur t’i rezistojë policisë gjatë gjithë natës, duke derdhur ndaj tyre rreth 200 plumba, teksa qëndronte i fshehur në aneksin e shtëpisë. Ndërsa, për t’u mbrojtur nga gazi lotsjellës i hedhur nga policia, autori ka përdorur batanije dhe peshqir të lagur.
Mësohet se policia ka përdorur edhe motrën e tij, që ta bindte të dorëzohej. Por, Arishta i është përgjigjur se nëse afrohej, do ta vriste edhe atë. Ndërsa, ka përfunduar gjithçka në mëngjes, rreth orës 07:00, kur forcat RENEA kanë hyrë brenda shtëpisë dhe e kanë vrarë.