Doracak për përdorim në Hagë!

Nga Beqë Cufaj

Një rrëfim personal. Në Hagë kam udhëtuar intensivisht nga disa herë në vit, as më pak e as më shumë se 10 vite. Nga Shkurti i vitit 2002 deri në Nëntor të vitit 2012- kam qenë vizitor i rregullt i Tribunalit të Hagës për Krime të Luftës në hapësirën e Ish-Jugosllavisë. Për KOHËN e Prishtinës dhe FAZ-in e Frankfurtit. Nga afër kam përcjellur proceset kundër Sllobës për disa vite e mëpas edhe Ramushit, Fatmirit dhe sërish Ramushit. Them që ai dyzimi i nevojshëm mes lexuesit  gjermanofolës dhe atij në shqip sado pak të ma ketë ruajtur distancën në shkresat për këto procese. Thënë edhe ndryshe: s’i bie pishman për asnjë rresht që kam botuar për këto procese.  Çdo gjë tjetër është histori- personale.

Në Nëntorin e vitit 2012, kur u dha aktvendimi për lirimin e dytë të Ramushit, në portën kryesore të Tribunalit, pija një cigare me Mirko Klarinin- më të lashtin e sojit tonë, themeluesin e “Sense” dhe gazetarin që dinte dhe din çdo gjë rreth atij Tribunali. Më pyeti nëse do të shkoja sërish.

“Kurrë më- vetëm nëse më sjellin si të akuzuar në këtë vend”, ishte përgjigja ime si me humor të hidhur.

Sot, kur lexoj lajmin edhe zyrtar që Ministria e Punëve të Jashtme e Holandës ka marrë vendimin edhe zyrtar për Hapjen e Gjykatës dhe caktimin e lokacionit ku do të mbahen proceset kundër ish-pjestarëve të UÇK-së s’kanë si të mos më shkojnë nëpër mend skenat e Proceseve që i kam përcjellur nga afër. Nga dorëzimi i Sllobës në Tribunal, takimi me Mahmut Bakallin tashmë të ndjerë në një hotel holandez natën e parë dhe ndjekjen e shtrigave që shqiptarët i bënë ditën e dytë- kur prokuroria praktikisht Mahmutin ia fali Milosheviqit vetëm e vetëm që ta fuste Sllobën në lojën e pranimit të Tribunalit… dhe mëpas krejt dëshmitë e dëshmitarët… deri në vdekjen e diktatorit serb.

As që ia vlen të flas këtu për vështirësitë e mëdha të Ramushit e Fatmirit. Për vite e vite tëra. Jo më kot thotë popullu: pa e provuar- nuk e din! Familjarët e tyre sa të përhumbur aq të vetmuar dhe për këtë të shkallmuar nga përndjekjet e, sërish shtrigave që, nga ish-bashkëluftëtarët e tyre me opinionistët e deri tek qytetarët e thjeshtë bënin përmes krejt teorive të konspiracionit për këto procese, për dëshmitarët e mbrojtur dhe pambrojtur, për politikën dhe lojërat e mëdha dhe pak më të mëdha që bëheshin në këto procese.

Pyetja është kjo: nëse Haga- Proceset për Krimet në ish-Jugosllavi, plotësuan nevojat dhe para së gjithash domosdoshmërinë e vënies në vend të drejtësisë, e pyes veten. Them që po. Pjesërisht. UÇK-ja nga ato procese doli e papërlyer dhe me këtë edhe u legalizua krejt kryengritja shqiptare kundër barbarisë serbe. Nëse Milosheviqi e mori dënimin e merituar? Jo dhe po. Vdekja e tij është prej mistereve që do ta përcjellin historinë e re të njerëzimit. Më e rëndësishmja është që në këtë Tribunal po vazhdon edhe procesi kundër Mladiqit e Karaxhiqit. Sepse sidomos me dënimin e këtyre dyve do të dëshmohet katërcipërisht sistemi jo veç komandues por edhe programi i qartë i serbëve në krejt hapësirën e ish-Jugosllavisë që patën program për shfarosjen e çdo gjëje që nuk ishte serbe në këtë hapësirë.

Gjykatën Speciale për Krimet e UÇK-së nuk e shoh si vazhdim të Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavinë. Kam qenë, jam dhe do të jem kundër kësaj Gjykate “Speciale”. Sepse ajo është pasojë e lëshimeve që Drejtësia ndërkombëtare ka bërë për një dekadë e gjysmë në Prishtinë. Njëherë OKB-ja dhe tash shtatë vite EULEX-i, me të njejtët figurantë edhe e kanë shtyer këtë proces të ndihmuar sidmos nga komshiu i Carla Del Pontes, i famshmi Dick Marty. Për këtë temë ndoshta më së miri është shprehur Adriatik Kelmendi i cili për dallim nga pronarët e shtëpisë mediale në të cilën punon, jo veç që doli kundër kësaj Gjykate por edhe në mënyrë të detajuar e argumentoi faktin që janë të njejtit “drejtësi bërës” nga Kosova që i kanë gjetur punë vetes me themelimin e kësaj Gjykate…

Sot s’kam si të mos e jap një, s’po i them profeci, por përvojë: është për keqardhje sesi familjarë (sidomos shqiptarë) të viktimave të vrasjeve politike dhe jo vetëm… të pasluftës i gëzohen këtij lajmi. Ashtu siç do të jetë për keqardhje që familjarët e të akuzuarve për Krime kundër tyre- do ta shohin veten rrugicave, restoraneve, hoteleve dhe sidomos holleve të Gjykatës Speciale kundër UÇK-së në Hagë.

Kurse Kosova do ta dëshmojë edhe njëherë sesi do ta paguajë faturën e falimentimit kombëtar e ndërkombëtar në dështimin e vënies së drejtësisë në vend.

I rrij asaj që në Nëntorin e vitit 2012 ia thoshja Mirko Klarinit: më nuk shkoj në Hagë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*