EKSLUZIVE: Arsyet pse Lumezi i mbylli hetimet për djalin e Isa Mustafës

Nga hetimi i materialeve publike që për pesë vitet e fundit kishin të bënin me personat juridik: Aleksander Lumezi, Albert Lumezi, Isa Mustafa, Besnik Mustafa, Ismet Beqiri dhe Hashim Deshishku si dhe lidhjen e tyre me Institucionet Publike/Private: Kryeprokurorin e Shtetit, Këshillin Prokurorial, Komunën e Prishtinës, Bankën “Kasabank”, Bankën “NLB, Kolegjin “Riinvest”, Klubin Futbollistik “KF Prishtina” në hulumtimin e bërë nga Kosovanews.info kemi gjetur fijet e mëposhtme nën synimin për t’i gjetur strehim dyshimit se a ka pasur ndërhyrje nga Kryeprokurori Lumezi në rastin gjyqësorë të Besnik Mustafës ,transmeton Kosovanews.info

Më 2004, një institucion financiar i udhëhequr nga Hashim Deshishku — “Kasabank” — kishte lidhur një kontratë publike me Komunën e Prishtinës që atëherë udhëhiqej nga Ismet Beqiri. Qeverisja komunale kishte zgjedhur këtë biznes që të operojë me një filial brenda selisë së saj, ku qytetarët do të mund të kryenin pagesa për shërbime komunale. Kjo kontratë është trashëguar më pas nga Nova Ljubljanska Banka (NLB) që e kishte blerë Bankën “Kasabank” dhe “Bankën e Re të Kosovës (BRK).
Në vitin 2010 është ripërtërirë kontrata e lidhur në vitin 2004 mes Komunës së Prishtinës dhe Bankës “Kasbank” që i mundëson NLB-së të mbajë filialin e saj në ndërtesën e komunës, ndryshe prej të gjitha bankave tjera. Detaji i kontratës që ka ndryshuar lidhet me afatin e kohëzgjatjes. Në vitin 2004 kontrata mes Komunës së Prishtinës dhe Bankës “Kasabank” ishte e paafatizuar, kurse kontrata e 2010 u afatizua me 5 vite.
Nga prononcimet që kanë dhënë lidhur me këtë çështje Ismet Beqiri, Hashim Deshishku dhe Albert Lumezi vërehet se të tre kanë një miqësi të hershme mes vete. Në një nga prononcimet Hashim Deshishku thotë që miqësia me Ismet Beqirin është miqësi përtej biznesit dhe lidhet me familje ku Ismet Beqiri i ka dalë në ndihmë disa herë familjes Deshishku. Ndërkohë që Albert Lumezi ka qenë prej fillimit së bashku me Hashim Deshishkun, nga koha kur në Bankën “Kasabank” Lumezi ka qenë anëtarë Bordi dhe Deshishku Drejtor, deri më sot ku Lumezi përveç se është Drejtor në Bankën “NLB” mbanë aksione së bashku me Hashim Deshishkun, Remzi Ejupin dhe Isa Mustafën.

Një vend tjetër që i bashkon këta emra, pra: Albert Lumezin, Hashim Deshishkun, Remzi Ejupin dhe Isa Mustafën lidhet me Klubin Futbollistik “KF Prishtina” ku së bashku janë aksioner të klubit. Ky i fundit, Isa Mustafa aksionet e veta ua ka bartur djemve të tij përkatësisht Besnik Mustafës që dëshmon se Albert Lumezi, Hashim Deshishku dhe Remzi Ejupi kanë pasur dhe me gjasë ende kanë miqësi edhe me djemtë e Isa Mustafës dhe në veçanti me Besnik Mustafën si aksionar të klubit , transmeton Kosovanews.info

Albert Lumezin që nga koha kur ka ardh në krye të Bankës “NLB” edhe pse është aksionar i këtij klubi në vazhdimësi e ka përkrahur financiarisht atë përmes Bankës “NLB” gjë që është cilësuar si konflikt interesi.

Një konflikt i ngjashëm përshkon edhe marrëveshjen që ka nënshkruar Banka “NLB” me Kolegjin “Riinvest” ku Isa Mustafa ka (20%) të aksioneve. Në tetor të vitit 2014, Bardhyl Meta – tash deputet i LDK-së – si Drejtor Ekzekutiv i Kolegjit “Riinvest” pati nënshkruar kontratë me Bankën “NLB” që kjo e fundit të ofroj huadhënie për financim të studimeve me 0% interes dhe 0% provizion. Kjo kontratë – specifikat tjera të së cilës nuk u bënë publike – lidhi një numër të madh të studentëve me Kolegjin “Riinvest” dhe Bankën “NLB”.
Albert Lumezi pra – Drejtori i Bankës “NLB” dhe njëherit vëllau i Kryeprokurorit të Shtetit Aleksandër Lumezit – përveç se ka miqësi me Hashim Deshishkun, Isa Mustafën dhe Besnik Mustafën së bashku me ta është edhe aksionar në Bankën “NLB” dhe Klubin Futbollistik “KF Prishtina”.
Përmes Institucioneve Publike që ka udhëhequr LDK-ja si dhe atyre private që ka udhëhequr Mustafa e Deshishku (këtu: Komuna e Prishtinës, KF “Prishtina”, Kolegji “Riinvest”) është favorizuar dhe fuqizuar Banka “NLB” ku aksionar janë Albert Lumezi, Hashim Deshishku dhe Isa Mustafa.
Në këtë lidhje hyn edhe Kryeprokurori i Shtetit z. Aleksander Lumezi.

Redaksia Kosovanews.info mëson se Kryeprokurori Lumezi dyshohet që a) është i afërt me LDK-në, b) ka ndërhyrë në raste gjyqësore, c) ka ndërhyrë në rastin gjyqësorë të Besnik Mustafës.
a) Zgjedhja e Lumezit si Kryeprokuror shteti hasi në vështirësi të shumta pasi Këshilli Prokurorial ku pjesa më e madhe është e afërt me PDK-në nuk e përkrahte atë. Kundër tij u pozicionuan edhe pjesëtarët e Gjykatës Kushtetuese me në krye Enver Hasanin që në çdo mënyrë dëshironin ta implikonin edhe Gjykatën Kushtetuese në përzgjedhjen e tij.
b) Me të marrë pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit Aleksandër Lumezi nxori vendim përmes të cilit lëndën në të cilën po hetohej për planifikim në vrasje dhe përfshirje në korrupsion t’ia marrë prokurorit vendor Armend Hamitit i cili ishte ngarkuar së bashku me prokurorin finlandez Heiki Ëendorf për hetimin e dyshimeve për korrupsion në EULEX. Ky i fundit madje i kishte dërguar edhe një letër Presidentes që mos ta dekretoj si Kryeprokuror. Një tjetër rast ku Aleksandër Lumezi vetëm dyshohet se ka ndërhyrë lidhet me vëllaun e tij Albert Lumezin – Drejtorin e Bankës “NLB” i cili po hetohej nga ish-shefi i task-forcës anti-korrupsion Nazmi Mustafi. Ky i fundit është dënuar me 5 vite burg dhe gjobë prej 10.000 euro për shpërdorim të detyrës zyrtare por kishte akuzuar Aleksandër Lumezin për montim të rastit me qëllim që të mos vazhdonte hetimi për Albert Lumezin. Nazmi Mustafi në të gjitha prononcimet e tij përmend detaje nga vendet dhe ditët kur Aleksandër Lumezi e ka takuar atë duke i bërë shantazh që të heq dorë nga hetimi i Albert Lumezit.
c) Duke qenë se lidhja e familjes Mustafa dhe Lumezi tejkalon lidhjet miqësore duke u përshkallëzuar në biznese të përbashkëta dhe duke qenë se Lumezi ka ndërhyrë edhe më herët në raste gjyqësore deri në rastin më të freskët ku ka ndërhyrë edhe për veten e tij – që thuhet se përbën një konflikt interesi – mund të dyshohet që ka ndërhyrë edhe në rastin e djalit të Mustafës Besnikut./QdheQ

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*