Gjykata Themelore e Ferizajt ka liruar nga akuza gjashtë të pandehur për mashtrim, falsifikim të dokumenteve zyrtare, keqpërdorim të pozitës zyrtare si dhe marrje-dhënie ryshfeti, të cilët ishin akuzuar bashkë me djalin e kryeministrit Isa Mustafa.
Gjykata njofton se është konstatuar se veprimet e të pandehurve për të cilat ata akuzohen, nuk përbëjnë vepër penale mashtrimi dhe ndaj tyre është pushuar procedura penale.
Tre të pandehurve tjerë, në mesin e të cilëve edhe Besnik Mustafa, që akuzohen se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, u është refuzuar akuza, pasi që prokurori i shtetit është tërhequr nga akuza gjatë shqyrtimit gjyqësor.
“Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 dite nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa iu drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt”, thuhet në njoftim.