Hysen Jashari, përgjegjës i deponisë së mbeturinave, ka thënë, në Ora e Fundit, se kamioni në të cilin ka qenë foshnja e pajetë, që u gjet nga punëtorët e deponisë, kishte ardhur nga Vushtrria, njofton Klan Kosova.
“Kamioni ka ardhur nga Vushtrria dhe ka marrë urdhër për të shkuar dhe zbrazur në deponi”.
“Kur ai është zbrazur, personat që e kryejnë këtë punë, kanë vërejtur një kovë në të cilën ka qenë foshnja”.
“Më pas është lajmëruar policia dhe shërbimet tjera, të cilët kanë kryer detyrat e veta”.
Këtë e ka konfirmuar edhe Skender Tahiraj, nga kompania Uniteti, i cili ka shtuar se kamionët nuk kontrollohen, por që foshnja është vërejtur teksa punëtorët po kryenin detyrat e tyre, raporton KlanKosova.
“Zakonisht nuk kontrollohen, por është fat i mirë që është vërejtur nga punëtorët”.
“Kamioni ka ardhur nga qendra e Vushtrrisë, por ende nuk dihet nga cila pikë bartëse”.
Edhe Jashari, si edhe Tahiraj kanë bërë apel që këto gjëra të mos përsëriten më. “Shpresoj që kjo të jetë hera e fundit dhe kurrë të mos ndodhin më gjëra të tilla”, ka thënë Jashari.
“Edhe nëse është i vdekur fëmija ai duhet varrosur e jo të hedhet në mbeturina”.
“Apeloj tek të gjithë qytetarët e Kosovës që të mos bëjnë kësi veprimesh”, përfundoi Tahiraj.