Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë, kanë zhvilluar një operacion bastisje në fshatrat Penuh dhe Peran të Podujevës, ku janë gjetur dhe konfiskuar një sasi e madhe e armëve dhe municionit.
Sipas Policisë, pas një analize të hollësishme të situatës kriminale në rajon, duke u mbështetur në shqetësimet e fundit në lidhje me rastet e armëmbajtjes pa leje, strukturat operative rajonale bashkërisht me ato të hetuesisë kanë identifikuar format, metodat dhe mënyrat e zhvillimit tëkëtyre aktiviteteve kriminale dhe kanë marrë masat e duhura operative e hetimore për parandalimin, zbulimin dhe goditjen e të gjitha formave të këtyre veprave.
Policia thotë se një kontribut të veçantë në këto operacione kanë dhënë edhe qytetarët të cilët kanë bashkëpunuar ngushtë me njësitet policore.
“Operacionet e bastisjeve janë kryer në fshatrat Penuh dhe Peran të Podujevës, ku policia ka gjetur dhe konfiskuardy pushkë automatike, një pushke gjysmën automatike, një pistoletë e tipit ecollspecial, katër karikatorë si dhe 203 fishek. Pas operacioneve, në stacionin policor të Podujevës janë iniciuar raste për mbajtje në pronësi, kontroll, posedim i pa autorizuar i armës, të cilat janë duke u trajtuar nga ana e hetuesve, sipas autorizimeve policore gjegjësisht, rekomandimeve nga Prokuroria përkatëse”, thuhet në një komunikatë të Policisë së Kosovës.
Ndërkohë për raste të tilla, mbajtje në pronësi, kontroll, posedim i pa autorizuar i armës, në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prishtinë që nga 1 janari i këtij viti, deri më sot janë iniciuar gjithsejtë 260 , me ç’ rast janë konfiskuar 278 armë si dhe 3723 municion të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm.