Policia e Kosovës gjatë mesditës së sotme në rrugë “Agim Ramadani” ka ndalur një veturë për kontroll, ku ishin tre persona të cilët nga mjekrat e gjata vëreheshin që janë të fesë myslimane.
KosovaPress ka arritur të marr disa pamje të shkurtra pasi që më gjatë nuk është lejuar nga vet Policia e Kosovës, të cilët kanë kërkuar që të largohet kamera duke thënë se është kontrollim privat.
Aty u vërejt se përveç veturës, policia i kontrolloi këta persona nëpër tërë trupin.
Për këtë, KosovaPress ka kontaktuar me Policinë e Kosovës, ku sipas zëdhënësve të tyre për media, nuk ka nevojë për ndonjë shqetësim pasi që kjo është vetëm një kontroll rutinore e cila është në kuadër të realizimit të misionit që e ka Policia e Kosovës për të siguruar rend dhe ligj në vendin tonë.
Policia nuk ka dhënë më shumë detaje, por ajo që dihet është se Policia gjatë kontrolleve rutinore ndalon më shumë vetura për kontroll dhe jo vetëm nga një siç ka bërë në rastin konkret./J.Gjinovci/