Numri i kosovarëve që kanë udhëtuar për të marrë pjesë në luftërat e huaja ka arritur në 300 veta, ku 50 prej tyre janë deklaruar tashmë të vrarë. Këto të dhëna janë publikuar të martën gjatë debatit për ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin, që shpie në terrorizëm të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme me kryetarët e komunave.
Përfaqësues vendorë e ndërkombëtarë kanë debatuar rreth ndalimit të pjesëmarrjes së qytetarëve kosovarë në ISIS. Mirëpo, Qeveria e Kosovës ka kërkuar përkrahje në këtë proces. Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ka thënë se lufta kundër ekstremizmit dhe radikalizmit nuk mund të bëhet vetëm nga Policia e Kosovës. “Duhet që të krijohen mekanizmat për parandalimin e ekstremizmit dhe kjo mund të bëhet edhe nga institucionet tjera”, ka thënë Hyseni, duke shtuar se pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në organizatën terroriste ISIS është një sinjal që duhet të ndalet më shpejt. Ministri Hyseni tha se Ministria e Punëve të Brendshme ka themeluar një grup joformal dhe në këtë mënyrë të zbatohen të gjitha detyrat, të cilat bien në fushëveprimin e tyre për ta parandaluar ekstremizmin.“Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar Strategjinë për luftimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Pas Ligjit që ka kaluar në Kuvend për Parandalimin e Pjesëmarrjes në Luftëra të Huaja… pas aprovimit të Strategjisë nacionale për luftimin e ekstremizmit ne e kemi aprovuar po ashtu një plan veprimi, që është i detajuar dhe përshkruan detyra konkrete për secilin institucion…”, ka thënë Hyseni