Një person është vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur gjatë një incidenti me armë zjarri që ka ndodhur mbrëmjen e së martes rreth orës 20:30 në Prizren, te rrethi i Bazhderhanës.
“Njëri nga të plagosurit është kalimtar i rastit, ndërsa i vrari dhe dy të plagosurit e tjerë ishin cak i sulmuesve që tash për tash ndodhen në arrati, por të njohur për policinë”, është thënë në një njoftim të Policisë së Kosovës.
Sipas policisë, arsyeja e këtij incidenti dyshohet të jetë zhvatja. “Në kërkim të të dyshuarve janë bastisur dy shtëpi, por ata nuk janë gjetur”, thuhet më tej në këtë njoftim.
Mësohet se viktima e kishte denoncuar për kërkim haraçi në polici tashmë të dyshuarin për vrasje, ku edhe organet e drejtësisë e kishin dënuar të dyshuarin , i cili kishte mbajtur gjashtë muaj burgim.
I dyshuari, vetëm dy ditë para se ta kryente vrasjen, ishte liruar nga burgu.
Kjo nuk është hera e parë që kryhen vrasje të tilla vetëm pak ditë pasi që të lirohen nga burgu persona të caktuar.