Qytetarët e Kosovës solidarizohen me popullin francez, pas sulmeve të fundit terroriste në Paris. Ata nuk e fshehin as drojën se sulme të tilla mund të ndodhin edhe në Kosovë.
“Ky rast nuk e përfaqëson as një fe, asnjë regjion, as një komb. Shpreh mllefin dhe ngushëllimin për të gjithë qytetarët e Francës, por edhe gjithë rruzullit tokësor, sepse të gjithë jemi tronditur. Sigurisht, rendi dhe siguria ne Kosovë për momentin nuk është e keqe, por në këtë drejtim organet kompetente duhet ta kenë parasysh se kur një shtet mbi 1000 pëson kësi akte terroriste, atëherë lind dyshimi se edhe në Kosovë mund të ketë diçka të tillë”, ka thënë qytetari Florim Kurti.
Veton Kajtazi, një tjetër qytetar, shton se ajo që ka ndodhur në Paris mund të ndodh edhe në Kosovë.
“Po mendoj që është problem global. Kjo që ka ndodhur në Paris, mund të ndodh kudo, edhe në Kosovë. Mendoj që në nivelin global të jetë mbrojtja kundër terrorizmit. Kjo është një e keqe që mund të bëhet më e keqe. Kësaj duhet t’i gjendet qarja”, tha ai.