Sa ka qenë i gjatë Skenderbeu?

Heroi kombëtar i Shqipnisë, Gjergj Kastrioti Skenderbeu, ka vdeke sot 548 vjete ma heret.
Gjergj Kastrioti – Skenderbeu (6 Maj 1405 – 17 Kallnor 1468) sintetizon nji epokë të tanë historike që mori emnin e tij: luftën njishekullore kundër pushtimit osman (fundi i shek. XIV – fundi i shek. XV).
Vepra dhe figura e Skenderbeut kishte përmasa dhe randësi europiane.

Për Skenderbeun asht shkrue nji literaturë e shumëllojshme, prej qinda vëllimesh, të botueme në shumë gjuhë.
Kur asht fjala për personalitete që kanë lanë kaq shumë gjurmë në histori, kurreshtja njerëzore kërkon me mësue për ta edhe detajet ma të vogla.
Gjergj Kastrioti shpeshherë asht portretizu si nji njeri i fuqishëm por shtatshkurtë.

A asht e vërtetë kjo?

Edhe pse Skenderbeu ka jetu në shekullin XV (1405-1468), falë nji dokumenti prej 26 fletash që ruhet në Arkivin Shtetnor të Venedikut, mujn me llogarit përafërsisht gjatësinë e trupit të tij. Këtë përllogaritje e ka ba albanologu dhe prifti italian, At Giussepe Valentini (1900-1979), në artikullin e tij botue me 1971, në revistën “Shejzat”, ribotue nga gazeta “Dita”.
Në këtë artikull, Valentini citon nji dokument të datës 8 Korrik 1457, që Gjergj Kastrioti ja kishte shkrue Senatit të Venedikut, përmes të dërguemit të tij, priftit apostolik Georgio Pelini, abat i Shën Marisë së Ratacit, pranë Antivarit (Tivarit).
Në këtë letër, Skenderbeu i drejtohej Venedikut me fjalët:

“Lidhun me teshat, që si na keni premtue keni me na i dhane dy herë në vjet, ju lutem me m’çue tesha të përshtatshme për trupin tem, ashtu si ja keni dhanë edhe zotnive të tjerë, sepse thonë që mu m’dalin 16 krahë (tesha) për dy palë veshje. Mirëpo, zotni, llogaritni pak me kujdes se sa krahë m’duhen për dy palë veshje e aq m’i çoni”.
Pra për Venedikun, 8 krahë tesha (stof) mjaftonin për me mbulu nji trup me shtat mesatar prej 1.75 m. Nëse Skënderbeut nuk i mjaftonin 8 krahë stof, kjo domethane se ai ka qenë ma i gjatë se 1.75 m. Nëse ai ka kërku qoftë edhe vetëm nji krah ma shumë stof, rezulton se ai ka qenë goxha shtatnaltë, sepse nëse për nji trup 1.75 m., mjaftonin 8 krahë stof, atëhere me 9 krahë stof mundesh me mbulu nji trup prej 1.98 m.
Kjo domethane se Skenderbeu, me gjase ka qenë diku ngat kësaj gjatësie – shkruen Giussepe Valentini. /Dita/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*