Pas një viti, që kur u vra në orar të punës, familja e Rrahman Ukës ish – punëtor i sigurimit në lokalin Bon Vivant, kanë shumë vërejtje tek drejtësia e vendit.
Uka u vra më 13 tetor të vitit 2014, por deri më tani vetëm një seancë gjyqësore është mbajtur për këtë rast dhe ajo në javën që kemi lënë pas.
Ajo që po ndodh është se pala kundërshtare pretendon se dorasi ka probleme mendore. E familja e tashëm të ndjerit nuk po mund të tolerojnë këtë. Kërkojnë drejtësi nga të gjitha palët.
Vëllai i Rrahmanit, Rrahim Uka shpjegon se si asnjëherë nuk deshën të shkojnë sipas traditave.
Që nga dita kur vëllai i tij humbi jetën, familja nuk u morën me traditat, besën e as Kanunin. Por, tani po ju humb durimi.
Më e papranueshmja për ta duket të jetë pretendimi i dorasit kinse ka probleme mendore.
“Me sa po duket janë disa ndryshime që po bëhen. Vrasësi pas një viti po donë me dal që nuk është normal. Ne si familje s’kemi dashtë asnjëherë të shkojmë sipas Kanunit, por ia kemi lënë në dorë drejtësisë, por siç duket do na duhet t’i kthehemi Kanunit”, thotë ai për lajmi.net.
Rrahimi tashmë ka mbetur ‘zot shtëpie’, ngase atyre edhe babai, Tahiri, u ka vdekur një muaj pas vrasjes së djalit.
E askënd në familjen e tyre, qe një vit, askush nga asnjë institucion nuk i kanë kontaktuar për asgjë e as nuk i kanë marr në pyetje.
“I kisha lut të gjithë të përfshirët, doktorë, gjykatës, prokurorë që të mos bien ndesh me Ligjin, e pastaj ne familja ta bëjmë Ligjin”, tha Uka.
Nesër, 13 tetor, tek varri i Rrahmanit do të vendoset pllakë përkujtimore.
Ndryshe, krejt ngjarja pati filluar kur njëri nga kamerierët e lokalit Bon Vivant, nuk ka pranuar që ta shërbejë tashmë vrasësin, me ç’rast ka kërkuar edhe ndihmën e Rrahman Ukës, i cili punonte tash e një kohë si punëtor sigurimi i lokalit.
Uka kishte tentuar që ta “zgjidh” problemin me myshteriun, duke provuar ta largojë atë nga lokali, me ç’rast vjen edhe deri te incidenti tragjik.